Tuesday, August 17, 2021

EVI MANGAVA TUT BUT...

Autorja e programit “Vizioni i pasdites” ka realizuar një këngë relaksuese dhe me tinguj që mund ta shijosh në çdo ambjent. Evi Reçi prej dy vitesh, tashmë është moderatore në programin “Vizioni i Pasdites” në televizionin Vizion Plus. Ajo kurrë nuk ka hequr dorë prej muzikës duke qënë tepër aktive si në publikime të materialeve të reja, por dhe pjesëmarrëse në kompeticione kombëtare sic janë Kënga Magjike, Festival i Këngës dhe kompeticione te tjera.

Kënga e fundit e lançuar në kanalin e saj youtube, më ka shtyrë për të bërë këtë shkrim, sepse në ditët e sotme paragjykojmë me atë cka ne rrethohemi, e them këtë për shkak se muzika në ditët e sotme është një “kaurma” (përzjerje) rrymash, të cilët vetëm artistët e vertetë mund të nxjerrin tinguj të bukur prej saj. Titulli i këngës quhet “Mangava tut”, që në gjuhën rome përkthehet “Të Dua”, mua personalisht më ka shtyrë më shumë vetëm prej titullit, por dhe kënga është shumë chill. Refrenin e këngës e performon në mënyrë të përsosur duke i shtuar ca lule të bukura tipik të këngëtarëve që luajnë muzik turbo-folk. Është mirë që fansat e Evi Reçi-t, ta dëgjojnë këngën e re në makinën e tyre, ndërkohë ata janë duke udhëtuar dhe me siguri do të ndiheni shumë të relaksuar, do deheni me këngën me të cilën vajza nga Durrësi ka nxjerr në tregun muzikor.

Këtë këngë, Evi e ka publikuar më datë 30 Korrik, muzika e këngës u punua nga Ervin Gonxhi, ndërsa teksti u shkrua nga Vojsava Alia. Videoklipi u prodhua nga kompania Pro Video. 

Weekly Nevipe./ O. Sherifi   







 

 

Wednesday, June 23, 2021

Policia Çeke gjunjëzon 46 vjeçarin Rom duke e lënë pa frymë (Video)

Një situatë e rëndë ka ndodhur në qytetin Teplica, në Republikën Çeke, ku po shpërndahet masivisht video përmes mediave sociale një ndërhyrje policore kundër një qytetari Rom i cili më vonë ndërroi jetë në ambulancën e thirrur në vendngjarje. Anëtarët e komunitetit Rom po e krahasojnë vdekjen e tij me vdekjen e George Floyd, njeriut afro-amerikan që u vra nga policia në SHBA vitin e kaluar.

Njëri nga oficerët e policisë ka ndërhyrë duke e gjunjëzuar për disa minuta në qafë qytetarin Rom. I riu më vonë ndërroi jetë në ambulancën e thirrur nga qytetarët të cilët ndodheshin në vendngjarje.

Policia thotë se ndërhyrja e tyre nuk ishte shkaku i vdekjes, por vdekja e tij erdhi për shkak se 46 vjeçari Stanislav Tomas përdorte lëndë narkotike.

Për këtë çështje kanë reaguar organizata Rome dhe aktivistë nga e gjithë europa. Në rrjete sociale po qarkullon hashtag-u #RomaLivesMatter, ku mijra Rom dhe jo-Rom i janë bashkuar kësaj lëvizje për të qënë kundër racizmit, diskriminimit dhe dhunës ndaj Romëve.  


Video

Saturday, April 10, 2021

Politika e re Rome e Vetëvendosjes dhe Unitetit

 

Në mesin e Luftës së Ftohtë, në vitin 1971, udhëheqës Romë u mblodhën në Londër për të shpallur vetëvendosjen dhe unitetin ndërkombëtarë mes Romëve. Në Kongresin e parë Botëror të Romëve, ata ranë dakord për simbolet e unitetit: flamur blu dhe jeshil me një rrotë të kuqe, për të cilin të gjithë jemi krenar dhe këndojme himnin tonë "Gelem Gelem" në gjuhën tonë Rome. Këto simbole kanë bashkuar popullin tonë dhe kauzën tonë të vetëvendosjes për 50 vjet. Ato përfaqësojnë një dhuratë politike që brezi im trashëgoi nga ai i mëparshmi. Çfarë trashëgimie politike do të lërë brezi im për brezin e ardhshëm? Shkurtimisht, ne duhet të forcojmë lëvizjen ndërkombëtare përmes bazave lokale që fortë luftojnë për këtë kauz në komunitetet tona, të vazhdojmë ndërtimin e kombit Romë dhe të unifikojmë lidershipin Romë rreth bazave të reja morale. Më lejoni të shpjegoj secilën nga këto.

Së pari, për të forcuar unitetin tonë ndërkombëtar dhe angazhimin politik, ne duhet të ndërtojmë baza të forta lokale. Në 50 vitet e fundit, ne jemi mbështetur në organizata ndërkombëtare për të ndryshuar mënyrën sesi qeveritë kombëtare na trajtojnë. Në emër të "asgjë për ne pa ne", organizatat tona kryesore të drejtuara nga Romët si Unioni Ndërkombëtar i Romëve dhe Forumi Evropian i Romëve dhe Udhëtarëve u fuqizuan në sajë të roleve konsultative në Kombet e Bashkuara (KB) dhe në Këshillin e Evropës. Në një mënyrë të ngjashme, Zyra Evropiane e Informimit për Romët dhe Organizata Evropiane Rome me mbështetje në bazë, e vazhduan këtë traditë brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE). Të gjitha këto organizata, së bashku me shumë mbrojtës të tjerë të kauzës Rome, kanë ngritur shqetësime në lidhje me situatën tonë dhe kanë rekomanduar zgjidhje.

Megjithatë, vendet anëtare të organizatave ndërkombëtare kurrë në të vërtetë nuk e kanë marrë situatën e Romëve ose rekomandimet tona si urgjente. Në kohëra të mira - midis rënies së komunizmit në 1989 dhe krizës financiare në 2008 - qeveritë shprehën angazhimin e tyre sepse u duheshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare për financim dhe siguri. Tani, veçanërisht që nga kriza financiare e vitit 2008 që forcoi populizmin dhe të djathtën ekstreme, vendet anëtare po minojnë organizatat ndërkombëtare. Për shembull, Hungaria dhe Polonia sfidojnë vetë themelet e Bashkimit Evropian, të tilla si sundimi i ligjit; Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE dhe Rusia ka shkaktuar një krizë serioze në Këshillin e Evropës. Duke parë këto zhvillime, nuk kam iluzionin se mund të mbështetemi vetëm tek organizatat ndërkombëtare për të pasur një ndikim më të madh në qeveritë kombëtare. Realiteti është që qeveritë kombëtare marrin vendime në organizata ndërkombëtare. Prandaj, ne duhet të riorientohemi drejt ndërtimit të bazave të pushtetit kombëtar dhe lokal në komunitetet tona. Kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet, por është e pashmangshme dhe thelbësore.

Detyra e dytë për brezin tim është të vazhdojë projektin e unifikimit të Romëve përtej kufijve kombëtarë, farefisnisë, feve, gjuhëve dhe dallimeve të tjera. Në dekadat e fundit, uniteti i Romëve, siç u shpall në 1971, ka qenë nën presion të ri. Përveç asimilimit të detyruar nga shumicat etnike ose pakicat e tjera, tensionet janë rritur midis Romëve në njërën anë dhe disa ashkalinjve, egjiptianëve, sinti dhe udhëtarëve nga ana tjetër. Disa përfaqësues të këtyre grupeve kanë pika të ndryshme fillestare, por përfundojnë me të njëjtin pikë: ata nuk dëshirojnë që këto grupe t'i përkasin kombit Rom.

Përmbajtjen e argumenteve të tyre ia lë historianëve, gjuhëtarëve dhe antropologëve, por le të jemi të qartë për këtë: çdo identitet është një ndërtim i përbashkët, një ide unifikuese. Kufijtë midis "nesh dhe atyre" gjithmonë sfidohen. Në rastin tonë, Kongresi i vitit 1971 përcaktoi simbolet që bashkojnë kombin Rom. Gjithkush ka lirinë t'i përqafojë këto ose të zgjedhë të kundërtën. Sidoqoftë, moralisht është kontradiktore të refuzosh përkatësinë Rome dhe në të njëjtën kohë ta përdorësh atë për të fituar fonde, pozicione politike dhe mundësi. Për më tepër, thirrjet nga disa njerëz për të ndryshuar emrin tonë të përbashkët janë të papranueshme, sepse ato na çojnë prapa dhe bëjnë të pavlefshme shpalljet e vitit 1971.

Në favor të argumenteve të tyre, disa përfaqësues të këtyre grupeve, së bashku me disa politikëbërës dhe aktivistë, thonë se të gjithë vuajmë nga i njëjti problem - racizmi ndaj Romëve, ose anti-Gypsyismi. Ky është me të vërtetë një arsyetim i vlefshëm për ndërtimin e një koalicioni rreth politikave publike. Sidoqoftë, që nga viti 1971, ne kemi kërkuar unitet dhe vetëvendosje jo për shkak të anti-Gypsyismit. Me fjalë të tjera, racizmi është një nga shumë pengesat në rrugën tonë, por kauza jonë është më e madhe se anti-Gypsyismi. Detyra e tretë për brezin tonë është të bashkojë udhëheqjen Rome rreth vlerave të reja. Në dekadat e hershme pas Kongresit të parë, numri i udhëheqësve Romë ishte i vogël, kështu që ishte e mjaftueshme për t'u bashkuar vetëm rreth përkatësisë Rome, por a është e mjaftueshme kjo gjë sot?

Nuk është, sepse sot ka shumë që flasin në emër të Romëve, veçanërisht përmes mediave sociale. Sfida sot është sesi të njohim ndryshimin midis atyre që fshehin korrupsionin, hipokrizinë ose paaftësinë pas demagogjisë dhe populizmit, dhe atyre patriotëve Romë me integritet, qëndrueshmëri dhe kompetencë.

Për shembull, udhëheqësit e zgjedhur Romë kanë legjitimitet përfaqësues. Sidoqoftë, pas 50 vjetësh, ne kemi përvojë të mjaftueshme për të njohur ndryshimin midis atyre që kanë vendosur interesin kolektiv mbi përfitimin personal dhe atyre që nuk e kanë bërë. Ne gjithashtu kemi mësuar të bëjmë dallimin midis atyre që kanë aftësinë të përdorin fuqinë dhe mundësinë për të çuar përpara kauzën tonë dhe atyre që nuk e bëjnë këtë. Ne gjithashtu kemi parë këto ndryshime edhe në mesin e organizatave Rome. Shembuj të tjerë janë udhëheqësit fetarë Romë të cilët kanë fituar më shumë besim nga populli ynë sesa udhëheqësit e zgjedhur. Disa vendosin çështjet e anti-abortit para çështjes Rome. Në këtë mënyrë, ata mbështesin politikën e djathtë që gjithashtu promovon racizmin. Disa të tjerë i japin përparësi identitetit fetar në kurriz të identitetit Rom, dhe kjo çon në asimilim ose ndarje midis Romëve. Liderë të tjerë fetarë përdorin identitetin Rom për të izoluar Romët nga politika në mënyrë që të tjerët të marrin vendime mbi jetën tonë "pa ne". Sidoqoftë, ne gjithashtu njohim udhëheqës fisnikë dhe frymëzues fetarë që demonstrojnë qëndrueshmëri midis vlerave fetare, unitetit dhe luftës sonë.

Për këtë arsye, brezi im duhet të bashkojë politikanët Romë, udhëheqësit fetarë, avokatët civilë, artistët, gazetarët, punëtorët dhe njerëzit në biznes dhe sporte që jetojnë sipas vlerave të mëposhtme. E para është vlera e integritetit publik, ose vendosja e interesit kolektiv mbi përfitimin personal. Eshtë shumë më e lehtë për ne ta demonstrojmë këtë në rrugë ose në Facebook, por është më e rëndësishme ta demonstrojmë kur kemi pushtet dhe mundësi reale. E dyta është vlera e qëndrueshmërisë midis fjalëve dhe veprimeve tona. Çdokush mund të flasë fjalë të këndshme për drejtësinë dhe barazinë për popullin tonë. Sidoqoftë, ne nuk mund të pretendojmë barazi për Romët teksa shtypim gratë Rome. Ne nuk mund t'i lutemi një Zoti që ti dojë dhe mbrojë të gjithë dhe në të njëjtën kohë të mbështesim edhe politikën e racistëve, misogjinistëve, Islamofobëve ose homofobëve. Vlera e tretë është kompetenca. Shumë dinë të përshkruajnë problemet, por vetëm disa përpiqen për njohuri dhe aftësi për të gjetur zgjidhje të vërteta dhe për t'i udhëhequr të tjerët drejt tyre.

Duke parë pas në kohë, trashëgimia 50-vjeçare e Kongresit të parë Botëror të Romëve është formuar nga Lufta e Ftohtë, tranzicionet demokratike dhe krizat financiare. Bota e sotme po formohet nga populizmi, Covid-19, ndryshimi i klimës, inteligjenca artificiale dhe sfida të tjera. Duke u mbështetur në trashëgiminë e paraardhësve tanë dhe duke iu përgjigjur sfidave të kohës sonë, ne duhet të rrisim një lëvizje ndërkombëtare me një prani të fortë lokale, të vazhdojmë ndërtimin e kombit Rom përtej kufijve dhe të unifikojmë udhëheqjen e Romëve me integritet, kompetencë dhe qëndrueshmëri publike. Këto janë bazat e një politike të re Rome që brezi im duhet të ndërtojë, në mënyrë që brezi tjetër ti trashëgojë dhe ti çojë përpara. 

Opre Roma! Lart Romët!

 

Marrë nga ROMEA.CZ
Përkthyer nga Sead Kazanxhiu 

Wednesday, December 23, 2020

Intervistë: Organizata Roma Versitas Albania kontribuon në zbutjen e efekteve të pandemisë gjatë valës së parë të Covid-19

 Shpërthimi i pandemisë në fillim të 2020 solli gradualisht mbylljen e vendit. Komuniteti Rom nxori apel për ndihmë në të katër anët e Shqipërisë. Cili ka qenë kontributi juaj si individ dhe si organizatë?

Që në javën e parë ishte vënë re një mungesë dhe nevojë për ushqime dhe dezinfektantë, pothuajse nga të gjithë. Ajo që bëmë menjëherë, si organizatë, ishte konstatimi i nevojave të studentëve tanë, ndërsa si individ nën cilësinë e Nën-Kryetarit të Këshillit Bashkiak Rrogozhinë në bashkëpunim me biznese të ndryshme bëra si që familjet Rome dhe Egjiptiane të Rrogozhinës të kishin mbështetje me pako ushqimore. 

2.      Çfarë ka qenë nevoja më emergjente për komunitetin, dhe sa familje kanë përfituar mbështetje nga organizata juaj?

Siç përmenda në pyetjen e parë, nevoja emergjente ishte ushqimi. Në lidhje me këtë si RVA ndërmorëm masa për mbështetjen e përfituesve të programeve tonë me kalimin paraprak të bursës në vlerën e njëjtë ose më shumë se sa një pako ushqimore, ku 30 nxënës të shkollave të mesme si dhe 10 studentë përfituan bursën, ndërsa mbi 40 studentë të tjerë pakot ushqimore.

Gjithashtu në të njëjtën kohë, nga një vendqëndrim Rom i njohur si Fshati Rom/Drizë u vumë në dijeni që shumë familje kishin mbetur pothuajse me “0” mbështetje si dhe me asnjë gjë për të ngrënë.

Nën këtë informacion ndërmorëm masa të mbështesnim afro 70 familje, pasi aq ishte mundësia financiare e organizatës sonë si dhe për të arrirë shtrirjen e kësaj nisme mbështetëse bëmë thirrje organizatave të tjera si dhe çdokujt që në një situatë të tillë të mund ti vinte në ndihmë familjeve në nevojë.

3.      A keni pasur bashkëpunim me institucionet në nivel vendor? Si keni mbështetur aksionet e njëra-tjetrës?

Në fakt jam munduar personalisht të kontaktoja me Bashkinë e Fierit për të parë se si mund të koordinoheshim për ti ardhur në ndihmë familjeve Rome në Drizë, por ka qenë e pamundur.

Ndërkohë me Bashkinë e Rrogozhinës ka qenë e vazhdueshme dhe gjithmonë e disponueshme në gjetjen e alternativave për t’i ndihmuar familjet Rome dhe Egjiptiane.

4.      Po me organizata të tjera Rome, keni bashkëpunuar?

Në situata të tilla, bashkëpunimi është kyç. Në fakt, kemi bashkëpunuar si që në mbështetjen me pako ushqimore të mos kishim mbivendosje si dhe të përdornim jo vetëm financat e organizatave tona, por edhe lidhjet dhe komunikimet me partnerë e donatorë.

Këtu mund të përmend edhe bashkëpunimin me 6 organizata për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve, nxënësve dhe studentëve gjatë kohës post-karantinë.

5.      A keni vënë re ndryshime në jetesën e komunitetit rom pas valës së parë të pandemisë, duke filluar nga shtatori deri më tani?

Situata e pandemisë bëri si që e gjithë ekonomia botërore të përulet dhe më të ndikuarit kanë qenë dhe janë familjet më në nevojë, siç janë ato Rome. Këtu duhet të kemi parasysh problematikat që kanë qenë para pandemisë dhe në situatë pandemie ata janë shumëfishuar. Me pak fjalë, nuk duhet një filozofi apo matematikë për të kuptuar që për familjet Rome është bërë e pamundur përballimi i mëtejshëm i sfidave të përditshme. Dhe këtu po flasim për nevoja bazë të një niveli bazë aq të ulët sa e kemi të pamundur ta imagjinojmë.

6.      Sa do t'i prekë romët vala e dytë e pandemisë dhe shtrëngimet që do të pasojnë me kufizimin në orar dhe gjatë festave të fundivitit?

Vala e dytë!? Vala e parë i ka dhënë fund gjithçka që ka qenë e përballueshme për ta. E dyta... “do t’i fundoste”.

Ndërsa në lidhje me shtrëngimet kufizuese, edhe pse jemi dakord, për familjet Rome sjell uljen e mundësive për të bërë si që në fund të ditës t’i sjellin familjarëve të tyre një copë bukë.

7.      Cilat janë propozimet tuaja për zbutjen e pasojave të Covid-19 ne jetën e komunitetin Rom?

Më lejoni ti përcaktoj me pika disa bazilare dhe thelbësore:

·         Në nivel lokal, mbikëqyrjen e vazhdueshme të familjeve në risk për mbijetesë, duke i ardhur në ndihmë me pako ushqimore;

·         Kontrollin e vazhdueshëm për të pasur Ujë të Pijshëm si dhe energji elektrike; në lidhje me këtë

·         Në nivel qendror, marrjen e masave që familjeve në pamundësi financiare për të paguar këto 2 shërbime bazë t’iu paguhet nga fondi emergjencës.

Kaq për momentin si dhe situatën do të mjaftonin për familjet Rome, pasi nuk dua të përmend politika si: rimëkëmbja ekonomike e bizneseve Rome, punësimi i tyre si dhe kthimin në punë të atyre që e humbën gjatë kësaj kohe, arsimimin dhe mbështetjen me logjistikën e duhur për aksesin online të mësimeve si dhe paketave me internet (i cili duhet të bëhet free në situata të tilla), etj.

Familjet rome në fillim kanë nevojë të mbijetojnë kësaj situate si dhe pak e nga pak të rimëkëmbim atë që humbëm e të fitojmë atë që duhet për një të ardhme me sfida më të lehta për përballimin e vështirëve të përditshme në jetën e zakonshme.

Tuesday, December 15, 2020

Intervistë: Mediatori Komunitar gjatë valës së parë të Pandemisë, përvoja e Z. Gerald Arapi, student në degën Bio-Teknologji Ushqimore.

 

Si student, si e keni pritur masën e karantinimit që u shtri përgjatë periudhës mars deri në maj?

Si fillim, nuk e prisnim që të ishte një periudhë kaq e gjatë. Menduam se do të zgjaste vetëm dy deri në tre javë. Por me kalimin e ditëve, si student vura re se po shtyhej dhe zgjatej periudha me nga një apo dy javë. Më pas dhe përveç vështirësive të tjera, si student fillova të ndjeja vështirësi në marrjen e leksioneve. Unë studioj Bio-Teknologji Ushqimore, dhe jemi të lidhur ngushtë me punën në laborator. Në kushte shtëpia ishte i vështirë ndërveprimi me pedagogët. Stafi pedagogjik nga ana tjetër nuk ishte i përgatitur për të përdorur platformat online.

Si jeni angazhuar si mediator komunitar, dhe cili ka qenë roli juaj?

Kam aplikuar në thirrjen që kishte nxjerrë një organizatë e cila kërkonte te angazhonte studentë në rolin e mediatorit komunitar. Në zonën time në qytetin e Korçës, duhet të identifikoja raste problematike në komunitet. Fillimisht, isha i fokusuar në lehtësimin për të marr shërbime shëndetësore, por më pas jam angazhuar edhe në lehtësimin për të marrë shërbime të tjera publike për komunitetin. Gjatë kësaj kohe, kam mbledhur të dhëna nga terreni për numrin dhe shkallën e familjeve të prekura nga kufizimet e Covid-19, dhe nevojat për ndihmë humanitare.

Sa persona keni lehtësuar, dhe si keni vepruar?

Si mediator, kam qenë në kontakt me përafërsisht 30 familje, fokusi ka qenë për t’i ndërmjetësuar me shërbimet që ofron bashkia. Të informoja familjet lidhur me masat e marra nga autoritetet përkatëse, dhe programet në dispozicion të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, duhet të informoja Bashkinë rreth situatës së vështirë sociale dhe ekonomike të familjeve në mënyrë për të treguar vëmendje tek familjet më në nevojë.




Si do ta përshkruaje situatën e familjeve Rome dhe Egjiptianë gjatë pandemisë, veçanërisht në periudhën e izolimit?

Duke qenë në kontakt të drejtpërdrejt, mund të shprehem se kam jetuar nën të njëjtën çati me familjet. Situata nuk ka qenë e mirë, sepse një pjesë e konsiderueshme punojnë informalisht si riciklues, shitës ambulant, apo tregtar rrobash të përdorura në treg. Duke qenë të pa licencuar, nuk figuronin në skemën e sigurimeve shoqërore, dhe për rrjedhojë nuk kanë mundur që të përfitojnë nga pagat e luftës. Madje, i është bllokuar edhe malli i blerë për stinën duke qenë se ishim në prag të ndërrimit të stinëve, kështu që malli dimëror i mbeti stok.

A ka pasur impaktin e duhur mediatori, dhe a e sheh të nevojshme shtrirjen e saj?

Duke marrë parasysh situatën në fillim të angazhimit tim si mediator komunitar, kam vënë re mungesë të lartë informimi, madje deri në dis-informim mbi pjesën e pandemisë. Nuk ishin të sigurt apo të qartë rreth protokolleve të ruajtjes së vetes nga Covid-19. Prandaj, mund të shprehem se ka qenë i nevojshëm roli jonë për t’i orientuar rreth protokolleve të miratuara nga shteti shqiptar. Pra, detyra jonë primare, ka qenë rritja e ndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, komuniteti kishte vështirësi për të marrë shërbime në dukje të thjeshta, fjala bie, një leje dalje nga platforma e-Albania. Gjatë Gushtit, kam ndihmuar disa anëtarë të komunitetit për të aplikuar për pasaporte në E-Albania. Ka qenë e vështirë ta kryenin vetë pasi nuk dinin si të regjistroheshin në portal.

Si e sheh në praktikë rolin e mediatorit ndërkohë që po përjetojmë valën e dytë të Covid-19, të paralajmëruar më herët nga ekspertët?

Nëse do të kemi kufizime të tjera sikurse në valën e parë, ndërkohë që bizneset dhe qytetarët po vazhdojnë të vuajnë pasojat ekonomike, pa përmendur humbjet në jetë, apo traumën psikologjike, roli i mediatorit nuk duhet të mungojë. Jo vetëm që do të lehtësonin familjet, por do t’i vinin në ndihmë edhe institucioneve me të dhëna, referim të rasteve, orientimin e nevojave, dhe lehtësim me punën në terren. I rekomandoj institucioneve mbështetjen e veprimtarisë së mediatorit komunitar pasi do t’i vinte në ndihmë jo vetëm komunitetit, por edhe shtresave të tjera në nevojë, dhe banorëve në zonat e thella rurale.

Cili është mesazhi juaj për komunitetin?

Të respektojnë vazhdimisht masat Anti-Covid. Të marrin seriozisht situatën, pavarësisht se kanë nevojë të sigurojnë të ardhura, por shëndeti është kryesor. Të bëjnë kujdes ndërkohë që sigurojnë mbijetesën, edhe pse është mision i vështirë.

 

Sunday, December 13, 2020

MEGI POJANI E VESHUR ME NGJYRAT E FLAMURIT TË KOMUNITETIT ROM ?

Megi Pojani, për publikun shqiptar njihet si aktore e cila ka marr pjesë në disa premiera filmi dhe një vajzë aktive në rrjete sociale, dhe tepër e ndjekur në Instagram. Vajza e çiltër e cila është pjesë e rubrikës “Maskat” në emisionin E Diell, ra në sy veshja e saj, ku disa komentues në instagram e cilësuan si veshje peme e Vitit të Ri ! Por disa të tjerë e lidhin krejt me diçka tjetër, bëhet fjalë për flamurin Rom. 


Pasi flamuri Rom, ka tre ngjyra ku
ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të Romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. Ende nuk dihet nëse Megi ka ndonjë lidhje me komunitetin Rom dhe kjo mbetet për t’u zbuluar, dhe tjetra është se ngjyra e vetme që i mungon Megit në veshje është e kuqe, ose e ka ngjyrën por nuk ia tregon publikut.

Wednesday, December 9, 2020

A duhet të njihet formalisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale roli dhe veprimtaria e mediatorit të shëndetit?



Vitet e fundit, janë ndërmarrë hapa pozitive për përmirësimin e sistemit shëndetësor ku theksi i është vënë integrimit të shërbimeve sociale në qendrat e kujdesit shëndetësor, dhe ofrimi i shërbimeve sa më pranë vendbanimit të qytetarit. Megjithatë, ka ende aspekte të cilat kërkojnë ndërhyrje për sigurimin e aksesit për grupet vulnerabël, veçanërisht nga komuniteti rom dhe egjiptian ku përveç varfërisë, mungesës së aksesit në informacion, rëndon edhe diskriminimi dhe mungesa e besimit tek institucionet në përgjithësi, dhe sistemin e shëndetësisë ne veçanti. Një ndër aspektet ende të pa trajtuara, pavarësisht kuadrit ligjor dhe politikbërës, është nevoja për të institucionalizuar dhe financuar rolin Mediatorit të shëndetit për të lehtësuar aksesin në sistemin shëndetësor. Një nevojë e tillë është bërë veçanërisht e dukshme gjatë valës së parë të pandemisë, dhe vazhdon të jetë e tillë.

Projekte të zbatuara nga organizata të ndryshme me fokus punën dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara me fokus të posaçëm mediatorin komunitar apo të shëndetit, kanë nisur që herët  nga viti 2011 në Shqipëri. Disa breza të rinjsh, të rejash edhe të rriturish janë trajnuar rreth rolit, detyrave, dhe kontributit të mediatorit si urë lidhëse ndërmjet komunitetit dhe institucioneve. Së fundmi, gjatë valës së parë të pandemisë ku e gjithë vëmendje dhe përpjekjet ishin të përqendruara për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve, dy organizata kanë mbështetur punën e mediatorit të shëndetit për të lehtësuar marrjen e shërbimeve nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Organizata, ALBANIAN COMMUNITY ASSIST (ACA) ka trajnuar të rijnë Rom dhe Egjiptianë që para valës së parë të pandemisë, dhe kanë organizuar takime ndërgjegjësuese në terren për tema të ndjeshme dhe me interes për publikun rom dhe egjiptian. Ndërsa, gjatë pandemisë, janë organizuar disa takime në Elbasan, Berat, Fier, dhe në qytete të tjera. Vetëm në Elbasan janë informuar rreth 111 Romë dhe Egjiptianë janë informuar rreth masave paraprake Anti-Covid.

Një tjetër organizatë, Roma Versitas Albania, ka ngritur dhe organizuar një platformë me mediatorë shëndetësor të cilët kanë operuar virtualisht për të lehtësuar efektet e pafavorshme të COVID-19. Mediatorët e shëndetit, me profil në mjekësi, kanë lehtësuar përmes telefonit me këshilla praktike gjatë situatës së pandemisë. Sipas të dhënave të Roma Versitas Albania, janë asistuar rreth 419 Rome dhe Egjiptianë, dhe më shumë se 50 raste kanë marrë shërbim të drejtpërdrejtë për të shmangur daljen nga banesa.

Në intervistat e zhvilluara me dy nga Mediatorët e shëndetit kanë reflektuar mbi punën dhe angazhimin e tyre në këtë periudhë. Sipas tyre, roli i mediatorit të shëndetit i ka ardhur në ndihma qindra individëve të gjitha moshave të cilat e kanë parë si një pikë mbështetjeje.

1.       Ju jeni angazhuar si mediatore e shëndetit, si u betë pjese e kësaj inisjative dhe cili ka qene roli juaj?

Esmeralda. D: Kam studiuar mjekësi, dhe jam bërë pjesë e platformës së mediatorëve të shëndetit duke aplikuar në një thirrje të shpallur nga një organizatë.

Suada. M: Jam bërë pjesë e këtij grupi pasi aplikova në thirrjen që shpalli organizata Roma Versitas Albania. Ka qenë  eksperiencë e bukur dhe e vlefshme e për mua.

2. Si është zhvilluar puna si mediatore e shëndetit, sa raste keni lehtësuar dhe në çfarë forme (ndihme nga telefoni, në terren, në Chat)

Esmeralda. D: Ka pasur raste të shumta jo vetëm lidhur me pandeminë por dhe raste të tjera që kanë kërkuar shërbim shëndetësor. Janë asistuar nëpërmjet telefonit, dhe takimeve në terren.

Suada. M: Puna si mediatore shëndeti është zhvilluar në terren ku kam shërbyer tek familjet e Rome dhe Egjiptiane në kombinat. Por, më shumë jam angazhuar përmes telefonit ku kam identifikuar vetëm dy raste me Covid-19.

3. Si do ta përshkruaje situatën ekonomike dhe shëndetësore të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane gjatë pandemisë, veçanërisht në kohën e izolimit.

Esmeralda. D: Situata ekonomike dhe shëndetësore ka qenë shumë e vështirë sepse kushtet e jetesës I bën më të rrezikuar ndaj virusit. Një ndër faktorët janë kushtet në infrastrukturë dhe higjeno-sanitare.  

Suada. M: Do ta përshkruaja me një fjali të thjeshtë, janë të harruar nga të gjithë.  Kanë kaluar, dhe po e përjetojnë ende një situatë të vështirë për shkak të papunësisë, dhe varfërisë së thellë. Fëmijët dhe gratë kanë nevojë për shërbime mjekësore të specializuara, por nuk kanë mundësi financiare.

4. A mendoni se roli i mediatorit të shëndetit ka qenë i nevojshëm, dhe a ka sjellë rezultatet e pritura?

Esmeralda. D: Po, besoj se roli i mediatorit ka qenë i nevojshëm dhe ka sjellë rezultatet e pritura në  komunitet në aspektin e shëndetësisë në këtë kohë pandemie.

Suada. M: Mediatori i shëndetit luan një rol të rëndësishëm tek komuniteti pasi atyre mund t’i hapet dyer të cilët janë përplasur në fytyrë anëtarëve të komunitetit për shkak të përkatësisë etnike.

5. Si e shihni në vazhdim rolin e mediatorit të shëndetit gjatë valës së dytë të pandemisë, a është e nevojshme shtrirja e saj?

Esmeralda. D: Besoj se roli i mediatorit të shëndetit duhet të ketë vazhdimësi, sepse situata është po njësojë ose dhe më e rënduar se më parë.

Suada. M: Rolin e mediatorit e shoh të rëndësishëm duke pasur frikën edhe të një izolimi tjetër. Mediatori mund të jetë personi qe mund t’i hape një dritare për në sistemin e shëndetësisë.

6. Cili është mesazhi juaj për komunitetet gjatë kësaj periudhe të dytë të pandemisë?

Esmeralda. D: Të ruajmë veten dhe të tjerët! 

Suada. M: Nga rastet që po shoh përditë në rutinën time të punës, situata duhet të merret seriozisht. Mos krijoni grumbullime, mbroni fëmijët dhe familjet tuaja.

7. Cfarë mesazhi keni për institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale?

Esmeralda. D: Si pjesë e fushës së shëndetësisë e ndjej si detyrim njerëzor për komunitetin Rom dhe atë Egjiptian, që Mediatorët e shëndetit të jenë koherentë me atë çka ndodh në këto komunitete sepse kanë shumë mungesa ekonomike dhe sociale. Kushtet janë jo të favorshme në këtë kohë pandemie prandaj është e nevojshme mediatorëve të shëndetit si ura lidhëse midis komunitetit dhe institucioneve shëndetësore që t’i vijmë  sado pak në ndihmë qe t’ia lehtësojmë menaxhimin e situatës.

Suada. M: Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëj thirrje që përmes institucioneve të saj, të kryejë vizita në terren, të identifikojë kushtet e jetesës së familjeve në aspektin e kushteve higjeno-sanitare, dhe sipas rastit të kryejë dezinfektimin e mjedisit ku jetojnë.   

5 Nëntori - Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome

  Në vitin 2008, në Zagreb u mbajt një simpozium ndërkombëtar për standardizimin e gjuhës rome, ku u vendos që data 5 nëntor të njihej si di...