
. Gjendja e komunitetit
rom në Shqipëri mbetet e vështirë paçka se vitet e fundit janë angazhuar mjaft
fonde dhe ndërhyrje përgjithësisht të mbështetura nga donatorë të huaj. Studime
dhe raportime në media dëshmojnë për një situatë të vështirë të komunitetit rom
në fusha të tilla jetike si punësimi, strehimi, arsimi dhe shëndeti. Këto
analiza tregojnë gjithashtu se kapaciteti kordinues dhe zbatues i
institucioneve qëndrore dhe vendore është i pamjaftueshëm për tu përballur me
shtrirjen dhe thellësinë e problematikave me të cilat ballafaqohet komuniteti
rom.
Dekada Rome ndihmoi në
zhvendosjen e çështjes rome nga periferia e largët në qëndër të ligjërimit të
institucioneve publike në vende të ndryshme. Sidoqoftë, suksesi i zbatimit të
prioriteteve të dekadës së përfshirjes së romëve varet mësëpaku nga retorika
dhe ligjërimi dhe mësëshumti nga emancipimi, vullneti dhe kapaciteti i
shoqërive dhe institucioneve për t’iu përmbajtur këtij angazhimi.
Po kështu në
komunitetin rom ekziston opinioni që maxhoranca e shoqërisë nuk është e
interesuar për të integruar këtë komunitet pasi ajo ushqen paraqykime të cilat
pengojnë gadishmërinë e saj për të bërë një hap përpara në pranimin e
komunitetit rom jo thjesht përmes politikave dhe programeve të qeverisë por
edhe përmes komunikimit njerëzor, ndërveprimit social dhe bashkëpunimit të
hapur në çdo fushë. Ky studim u zhvillua për të kuptuar më shumë rreth zbatimit
të planit të veprimit të dekadës rome dhe situatës në të cilën gjendet
komuniteti rom në Shqipëri vetëm 3 vjet larg përfundimit formal të këtij
angazhimi ndërqeveritar.
Ky studim, duke ndërthurur metodat cilësore dhe ato
sasiore depërton thellë si dhe shtrihet në gjerësi për të kuptuar më mirë
gjëndjen e komunitetit rom në prespektivën ekonomike, arsimore, shëndetësore
dhe të strehimit, shkallën e kënaqësisë së tyre përkundrejt shërbimeve publike
si dhe nivelin e aksesit në marrjen e këtyre shërbimeve.
Chorori Media