Protesta nisi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme përballë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe për rreth 1 orë protestuesit thërrisnin slogane si dhe lexonin kërkesat e tyre, histori personale të lidhura me banesën ku jetojnë. Në protestë merrnin pjesë edhe shumë fëmijë të cilët tregonin vizatime të bëra prej tyre ku paraqitej shtëpia që rrezikon të shembet për shkak të ndërtimit të unazës. Pas rreth 1 ore stafi i Ministrisë pranoi që të ulej në bisedime me disa përfaqësues dhe nga bisedimet u kuptua se zgjidhja duhet të vijë nga Bashkia Tiranë ndërkohë që protestuesit kërkonin që institucionet të dilnin nga pozicionet e tyre të ngurta dhe të uleshin për të propozuar një zgjidhje të pranueshme dhe realiste. Pas bisedave me stafin e bashkisë u lajmërua që pak orë më vonë do të zhvillohej një takim në mjediset e Ministrisë së Zhvillimit Urban ku morën pjesë përfaqësuesit e protestës, një grup nga stafi i Bashkisë Tiranë dhe përfaqësues të stafit të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Gjatë takimit përfaqësuesit e të dyja institucioneve ranë dakord që të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për të parandaluar pasojat e renda që mund të vijnë nga dëbimi dhe humbja e banesës së dhjetra familjeve në zonën e Selites, Tiranë. Bashkia u angazhua që të shikojë mundësinë e paisjes së katër familjeve të cilat nuk kualifikohen për legalizim me një banese sociale, qiraja e të cilës do të subvencionohet nga buxheti i Ministrisë. Ndërsa për pjesën më të madhe të familjeve do të shikohet mundësia e gjetjes së një zgjidhje afatgjatë, për të cilën duhen pyetur institucionet përkatëse. Banoret e Selites mbeten ende në pritje të zgjidhjeve që do të ofrohen nga të dy institucionet. Një grup pune nga bashkia nisi që dje verifikimet në terren për të identifikuar banesat që vërtet preken nga plani i ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës.
Kliko këtu për të parë videon