Në mesin e Luftës së Ftohtë, në vitin 1971, udhëheqës Romë u mblodhën në Londër për të shpallur vetëvendosjen dhe unitetin ndërkombëtarë mes Romëve. Në Kongresin e parë Botëror të Romëve, ata ranë dakord për simbolet e unitetit: flamur blu dhe jeshil me një rrotë të kuqe, për të cilin të gjithë jemi krenar dhe këndojme himnin tonë "Gelem Gelem" në gjuhën tonë Rome. Këto simbole kanë bashkuar popullin tonë dhe kauzën tonë të vetëvendosjes për 50 vjet. Ato përfaqësojnë një dhuratë politike që brezi im trashëgoi nga ai i mëparshmi. Çfarë trashëgimie politike do të lërë brezi im për brezin e ardhshëm? Shkurtimisht, ne duhet të forcojmë lëvizjen ndërkombëtare përmes bazave lokale që fortë luftojnë për këtë kauz në komunitetet tona, të vazhdojmë ndërtimin e kombit Romë dhe të unifikojmë lidershipin Romë rreth bazave të reja morale. Më lejoni të shpjegoj secilën nga këto.
Së pari, për të forcuar unitetin tonë ndërkombëtar dhe angazhimin politik, ne duhet të ndërtojmë baza të forta lokale. Në 50 vitet e fundit, ne jemi mbështetur në organizata ndërkombëtare për të ndryshuar mënyrën sesi qeveritë kombëtare na trajtojnë. Në emër të "asgjë për ne pa ne", organizatat tona kryesore të drejtuara nga Romët si Unioni Ndërkombëtar i Romëve dhe Forumi Evropian i Romëve dhe Udhëtarëve u fuqizuan në sajë të roleve konsultative në Kombet e Bashkuara (KB) dhe në Këshillin e Evropës. Në një mënyrë të ngjashme, Zyra Evropiane e Informimit për Romët dhe Organizata Evropiane Rome me mbështetje në bazë, e vazhduan këtë traditë brenda institucioneve të Bashkimit Evropian (BE). Të gjitha këto organizata, së bashku me shumë mbrojtës të tjerë të kauzës Rome, kanë ngritur shqetësime në lidhje me situatën tonë dhe kanë rekomanduar zgjidhje.
Megjithatë, vendet anëtare të organizatave ndërkombëtare kurrë në të vërtetë nuk e kanë marrë situatën e Romëve ose rekomandimet tona si urgjente. Në kohëra të mira - midis rënies së komunizmit në 1989 dhe krizës financiare në 2008 - qeveritë shprehën angazhimin e tyre sepse u duheshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare për financim dhe siguri. Tani, veçanërisht që nga kriza financiare e vitit 2008 që forcoi populizmin dhe të djathtën ekstreme, vendet anëtare po minojnë organizatat ndërkombëtare. Për shembull, Hungaria dhe Polonia sfidojnë vetë themelet e Bashkimit Evropian, të tilla si sundimi i ligjit; Mbretëria e Bashkuar është larguar nga BE dhe Rusia ka shkaktuar një krizë serioze në Këshillin e Evropës. Duke parë këto zhvillime, nuk kam iluzionin se mund të mbështetemi vetëm tek organizatat ndërkombëtare për të pasur një ndikim më të madh në qeveritë kombëtare. Realiteti është që qeveritë kombëtare marrin vendime në organizata ndërkombëtare. Prandaj, ne duhet të riorientohemi drejt ndërtimit të bazave të pushtetit kombëtar dhe lokal në komunitetet tona. Kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet, por është e pashmangshme dhe thelbësore.
Detyra e dytë për brezin tim është të vazhdojë projektin e unifikimit të Romëve përtej kufijve kombëtarë, farefisnisë, feve, gjuhëve dhe dallimeve të tjera. Në dekadat e fundit, uniteti i Romëve, siç u shpall në 1971, ka qenë nën presion të ri. Përveç asimilimit të detyruar nga shumicat etnike ose pakicat e tjera, tensionet janë rritur midis Romëve në njërën anë dhe disa ashkalinjve, egjiptianëve, sinti dhe udhëtarëve nga ana tjetër. Disa përfaqësues të këtyre grupeve kanë pika të ndryshme fillestare, por përfundojnë me të njëjtin pikë: ata nuk dëshirojnë që këto grupe t'i përkasin kombit Rom.
Përmbajtjen e argumenteve të tyre ia lë historianëve, gjuhëtarëve dhe antropologëve, por le të jemi të qartë për këtë: çdo identitet është një ndërtim i përbashkët, një ide unifikuese. Kufijtë midis "nesh dhe atyre" gjithmonë sfidohen. Në rastin tonë, Kongresi i vitit 1971 përcaktoi simbolet që bashkojnë kombin Rom. Gjithkush ka lirinë t'i përqafojë këto ose të zgjedhë të kundërtën. Sidoqoftë, moralisht është kontradiktore të refuzosh përkatësinë Rome dhe në të njëjtën kohë ta përdorësh atë për të fituar fonde, pozicione politike dhe mundësi. Për më tepër, thirrjet nga disa njerëz për të ndryshuar emrin tonë të përbashkët janë të papranueshme, sepse ato na çojnë prapa dhe bëjnë të pavlefshme shpalljet e vitit 1971.
Në favor të argumenteve të tyre, disa përfaqësues të këtyre grupeve, së bashku me disa politikëbërës dhe aktivistë, thonë se të gjithë vuajmë nga i njëjti problem - racizmi ndaj Romëve, ose anti-Gypsyismi. Ky është me të vërtetë një arsyetim i vlefshëm për ndërtimin e një koalicioni rreth politikave publike. Sidoqoftë, që nga viti 1971, ne kemi kërkuar unitet dhe vetëvendosje jo për shkak të anti-Gypsyismit. Me fjalë të tjera, racizmi është një nga shumë pengesat në rrugën tonë, por kauza jonë është më e madhe se anti-Gypsyismi. Detyra e tretë për brezin tonë është të bashkojë udhëheqjen Rome rreth vlerave të reja. Në dekadat e hershme pas Kongresit të parë, numri i udhëheqësve Romë ishte i vogël, kështu që ishte e mjaftueshme për t'u bashkuar vetëm rreth përkatësisë Rome, por a është e mjaftueshme kjo gjë sot?
Nuk është, sepse sot ka shumë që flasin në emër të Romëve, veçanërisht përmes mediave sociale. Sfida sot është sesi të njohim ndryshimin midis atyre që fshehin korrupsionin, hipokrizinë ose paaftësinë pas demagogjisë dhe populizmit, dhe atyre patriotëve Romë me integritet, qëndrueshmëri dhe kompetencë.
Për shembull, udhëheqësit e zgjedhur Romë kanë legjitimitet përfaqësues. Sidoqoftë, pas 50 vjetësh, ne kemi përvojë të mjaftueshme për të njohur ndryshimin midis atyre që kanë vendosur interesin kolektiv mbi përfitimin personal dhe atyre që nuk e kanë bërë. Ne gjithashtu kemi mësuar të bëjmë dallimin midis atyre që kanë aftësinë të përdorin fuqinë dhe mundësinë për të çuar përpara kauzën tonë dhe atyre që nuk e bëjnë këtë. Ne gjithashtu kemi parë këto ndryshime edhe në mesin e organizatave Rome. Shembuj të tjerë janë udhëheqësit fetarë Romë të cilët kanë fituar më shumë besim nga populli ynë sesa udhëheqësit e zgjedhur. Disa vendosin çështjet e anti-abortit para çështjes Rome. Në këtë mënyrë, ata mbështesin politikën e djathtë që gjithashtu promovon racizmin. Disa të tjerë i japin përparësi identitetit fetar në kurriz të identitetit Rom, dhe kjo çon në asimilim ose ndarje midis Romëve. Liderë të tjerë fetarë përdorin identitetin Rom për të izoluar Romët nga politika në mënyrë që të tjerët të marrin vendime mbi jetën tonë "pa ne". Sidoqoftë, ne gjithashtu njohim udhëheqës fisnikë dhe frymëzues fetarë që demonstrojnë qëndrueshmëri midis vlerave fetare, unitetit dhe luftës sonë.Për këtë arsye, brezi im duhet të bashkojë politikanët Romë, udhëheqësit fetarë, avokatët civilë, artistët, gazetarët, punëtorët dhe njerëzit në biznes dhe sporte që jetojnë sipas vlerave të mëposhtme. E para është vlera e integritetit publik, ose vendosja e interesit kolektiv mbi përfitimin personal. Eshtë shumë më e lehtë për ne ta demonstrojmë këtë në rrugë ose në Facebook, por është më e rëndësishme ta demonstrojmë kur kemi pushtet dhe mundësi reale. E dyta është vlera e qëndrueshmërisë midis fjalëve dhe veprimeve tona. Çdokush mund të flasë fjalë të këndshme për drejtësinë dhe barazinë për popullin tonë. Sidoqoftë, ne nuk mund të pretendojmë barazi për Romët teksa shtypim gratë Rome. Ne nuk mund t'i lutemi një Zoti që ti dojë dhe mbrojë të gjithë dhe në të njëjtën kohë të mbështesim edhe politikën e racistëve, misogjinistëve, Islamofobëve ose homofobëve. Vlera e tretë është kompetenca. Shumë dinë të përshkruajnë problemet, por vetëm disa përpiqen për njohuri dhe aftësi për të gjetur zgjidhje të vërteta dhe për t'i udhëhequr të tjerët drejt tyre.
Duke parë pas në kohë, trashëgimia 50-vjeçare e Kongresit të parë Botëror të Romëve është formuar nga Lufta e Ftohtë, tranzicionet demokratike dhe krizat financiare. Bota e sotme po formohet nga populizmi, Covid-19, ndryshimi i klimës, inteligjenca artificiale dhe sfida të tjera. Duke u mbështetur në trashëgiminë e paraardhësve tanë dhe duke iu përgjigjur sfidave të kohës sonë, ne duhet të rrisim një lëvizje ndërkombëtare me një prani të fortë lokale, të vazhdojmë ndërtimin e kombit Rom përtej kufijve dhe të unifikojmë udhëheqjen e Romëve me integritet, kompetencë dhe qëndrueshmëri publike. Këto janë bazat e një politike të re Rome që brezi im duhet të ndërtojë, në mënyrë që brezi tjetër ti trashëgojë dhe ti çojë përpara.Opre Roma! Lart
Romët!
Përkthyer nga Sead Kazanxhiu