Tuesday, December 15, 2020

Intervistë: Mediatori Komunitar gjatë valës së parë të Pandemisë, përvoja e Z. Gerald Arapi, student në degën Bio-Teknologji Ushqimore.

 

Si student, si e keni pritur masën e karantinimit që u shtri përgjatë periudhës mars deri në maj?

Si fillim, nuk e prisnim që të ishte një periudhë kaq e gjatë. Menduam se do të zgjaste vetëm dy deri në tre javë. Por me kalimin e ditëve, si student vura re se po shtyhej dhe zgjatej periudha me nga një apo dy javë. Më pas dhe përveç vështirësive të tjera, si student fillova të ndjeja vështirësi në marrjen e leksioneve. Unë studioj Bio-Teknologji Ushqimore, dhe jemi të lidhur ngushtë me punën në laborator. Në kushte shtëpia ishte i vështirë ndërveprimi me pedagogët. Stafi pedagogjik nga ana tjetër nuk ishte i përgatitur për të përdorur platformat online.

Si jeni angazhuar si mediator komunitar, dhe cili ka qenë roli juaj?

Kam aplikuar në thirrjen që kishte nxjerrë një organizatë e cila kërkonte te angazhonte studentë në rolin e mediatorit komunitar. Në zonën time në qytetin e Korçës, duhet të identifikoja raste problematike në komunitet. Fillimisht, isha i fokusuar në lehtësimin për të marr shërbime shëndetësore, por më pas jam angazhuar edhe në lehtësimin për të marrë shërbime të tjera publike për komunitetin. Gjatë kësaj kohe, kam mbledhur të dhëna nga terreni për numrin dhe shkallën e familjeve të prekura nga kufizimet e Covid-19, dhe nevojat për ndihmë humanitare.

Sa persona keni lehtësuar, dhe si keni vepruar?

Si mediator, kam qenë në kontakt me përafërsisht 30 familje, fokusi ka qenë për t’i ndërmjetësuar me shërbimet që ofron bashkia. Të informoja familjet lidhur me masat e marra nga autoritetet përkatëse, dhe programet në dispozicion të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, duhet të informoja Bashkinë rreth situatës së vështirë sociale dhe ekonomike të familjeve në mënyrë për të treguar vëmendje tek familjet më në nevojë.




Si do ta përshkruaje situatën e familjeve Rome dhe Egjiptianë gjatë pandemisë, veçanërisht në periudhën e izolimit?

Duke qenë në kontakt të drejtpërdrejt, mund të shprehem se kam jetuar nën të njëjtën çati me familjet. Situata nuk ka qenë e mirë, sepse një pjesë e konsiderueshme punojnë informalisht si riciklues, shitës ambulant, apo tregtar rrobash të përdorura në treg. Duke qenë të pa licencuar, nuk figuronin në skemën e sigurimeve shoqërore, dhe për rrjedhojë nuk kanë mundur që të përfitojnë nga pagat e luftës. Madje, i është bllokuar edhe malli i blerë për stinën duke qenë se ishim në prag të ndërrimit të stinëve, kështu që malli dimëror i mbeti stok.

A ka pasur impaktin e duhur mediatori, dhe a e sheh të nevojshme shtrirjen e saj?

Duke marrë parasysh situatën në fillim të angazhimit tim si mediator komunitar, kam vënë re mungesë të lartë informimi, madje deri në dis-informim mbi pjesën e pandemisë. Nuk ishin të sigurt apo të qartë rreth protokolleve të ruajtjes së vetes nga Covid-19. Prandaj, mund të shprehem se ka qenë i nevojshëm roli jonë për t’i orientuar rreth protokolleve të miratuara nga shteti shqiptar. Pra, detyra jonë primare, ka qenë rritja e ndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, komuniteti kishte vështirësi për të marrë shërbime në dukje të thjeshta, fjala bie, një leje dalje nga platforma e-Albania. Gjatë Gushtit, kam ndihmuar disa anëtarë të komunitetit për të aplikuar për pasaporte në E-Albania. Ka qenë e vështirë ta kryenin vetë pasi nuk dinin si të regjistroheshin në portal.

Si e sheh në praktikë rolin e mediatorit ndërkohë që po përjetojmë valën e dytë të Covid-19, të paralajmëruar më herët nga ekspertët?

Nëse do të kemi kufizime të tjera sikurse në valën e parë, ndërkohë që bizneset dhe qytetarët po vazhdojnë të vuajnë pasojat ekonomike, pa përmendur humbjet në jetë, apo traumën psikologjike, roli i mediatorit nuk duhet të mungojë. Jo vetëm që do të lehtësonin familjet, por do t’i vinin në ndihmë edhe institucioneve me të dhëna, referim të rasteve, orientimin e nevojave, dhe lehtësim me punën në terren. I rekomandoj institucioneve mbështetjen e veprimtarisë së mediatorit komunitar pasi do t’i vinte në ndihmë jo vetëm komunitetit, por edhe shtresave të tjera në nevojë, dhe banorëve në zonat e thella rurale.

Cili është mesazhi juaj për komunitetin?

Të respektojnë vazhdimisht masat Anti-Covid. Të marrin seriozisht situatën, pavarësisht se kanë nevojë të sigurojnë të ardhura, por shëndeti është kryesor. Të bëjnë kujdes ndërkohë që sigurojnë mbijetesën, edhe pse është mision i vështirë.

 

No comments:

Post a Comment

Premiera e filmit “Our Roma Heroine” në ambjentet e Kongresit Rinor Kombëtar

Tashmë pas disa ditësh pritje u shfaq filmi me metrazh të shkurtër “Our Roma Heroine.” Grupi Our Roma Hero, të cilët janë shpallur fitues në...