Wednesday, December 23, 2020

Intervistë: Organizata Roma Versitas Albania kontribuon në zbutjen e efekteve të pandemisë gjatë valës së parë të Covid-19

 Shpërthimi i pandemisë në fillim të 2020 solli gradualisht mbylljen e vendit. Komuniteti Rom nxori apel për ndihmë në të katër anët e Shqipërisë. Cili ka qenë kontributi juaj si individ dhe si organizatë?

Që në javën e parë ishte vënë re një mungesë dhe nevojë për ushqime dhe dezinfektantë, pothuajse nga të gjithë. Ajo që bëmë menjëherë, si organizatë, ishte konstatimi i nevojave të studentëve tanë, ndërsa si individ nën cilësinë e Nën-Kryetarit të Këshillit Bashkiak Rrogozhinë në bashkëpunim me biznese të ndryshme bëra si që familjet Rome dhe Egjiptiane të Rrogozhinës të kishin mbështetje me pako ushqimore. 

2.      Çfarë ka qenë nevoja më emergjente për komunitetin, dhe sa familje kanë përfituar mbështetje nga organizata juaj?

Siç përmenda në pyetjen e parë, nevoja emergjente ishte ushqimi. Në lidhje me këtë si RVA ndërmorëm masa për mbështetjen e përfituesve të programeve tonë me kalimin paraprak të bursës në vlerën e njëjtë ose më shumë se sa një pako ushqimore, ku 30 nxënës të shkollave të mesme si dhe 10 studentë përfituan bursën, ndërsa mbi 40 studentë të tjerë pakot ushqimore.

Gjithashtu në të njëjtën kohë, nga një vendqëndrim Rom i njohur si Fshati Rom/Drizë u vumë në dijeni që shumë familje kishin mbetur pothuajse me “0” mbështetje si dhe me asnjë gjë për të ngrënë.

Nën këtë informacion ndërmorëm masa të mbështesnim afro 70 familje, pasi aq ishte mundësia financiare e organizatës sonë si dhe për të arrirë shtrirjen e kësaj nisme mbështetëse bëmë thirrje organizatave të tjera si dhe çdokujt që në një situatë të tillë të mund ti vinte në ndihmë familjeve në nevojë.

3.      A keni pasur bashkëpunim me institucionet në nivel vendor? Si keni mbështetur aksionet e njëra-tjetrës?

Në fakt jam munduar personalisht të kontaktoja me Bashkinë e Fierit për të parë se si mund të koordinoheshim për ti ardhur në ndihmë familjeve Rome në Drizë, por ka qenë e pamundur.

Ndërkohë me Bashkinë e Rrogozhinës ka qenë e vazhdueshme dhe gjithmonë e disponueshme në gjetjen e alternativave për t’i ndihmuar familjet Rome dhe Egjiptiane.

4.      Po me organizata të tjera Rome, keni bashkëpunuar?

Në situata të tilla, bashkëpunimi është kyç. Në fakt, kemi bashkëpunuar si që në mbështetjen me pako ushqimore të mos kishim mbivendosje si dhe të përdornim jo vetëm financat e organizatave tona, por edhe lidhjet dhe komunikimet me partnerë e donatorë.

Këtu mund të përmend edhe bashkëpunimin me 6 organizata për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve, nxënësve dhe studentëve gjatë kohës post-karantinë.

5.      A keni vënë re ndryshime në jetesën e komunitetit rom pas valës së parë të pandemisë, duke filluar nga shtatori deri më tani?

Situata e pandemisë bëri si që e gjithë ekonomia botërore të përulet dhe më të ndikuarit kanë qenë dhe janë familjet më në nevojë, siç janë ato Rome. Këtu duhet të kemi parasysh problematikat që kanë qenë para pandemisë dhe në situatë pandemie ata janë shumëfishuar. Me pak fjalë, nuk duhet një filozofi apo matematikë për të kuptuar që për familjet Rome është bërë e pamundur përballimi i mëtejshëm i sfidave të përditshme. Dhe këtu po flasim për nevoja bazë të një niveli bazë aq të ulët sa e kemi të pamundur ta imagjinojmë.

6.      Sa do t'i prekë romët vala e dytë e pandemisë dhe shtrëngimet që do të pasojnë me kufizimin në orar dhe gjatë festave të fundivitit?

Vala e dytë!? Vala e parë i ka dhënë fund gjithçka që ka qenë e përballueshme për ta. E dyta... “do t’i fundoste”.

Ndërsa në lidhje me shtrëngimet kufizuese, edhe pse jemi dakord, për familjet Rome sjell uljen e mundësive për të bërë si që në fund të ditës t’i sjellin familjarëve të tyre një copë bukë.

7.      Cilat janë propozimet tuaja për zbutjen e pasojave të Covid-19 ne jetën e komunitetin Rom?

Më lejoni ti përcaktoj me pika disa bazilare dhe thelbësore:

·         Në nivel lokal, mbikëqyrjen e vazhdueshme të familjeve në risk për mbijetesë, duke i ardhur në ndihmë me pako ushqimore;

·         Kontrollin e vazhdueshëm për të pasur Ujë të Pijshëm si dhe energji elektrike; në lidhje me këtë

·         Në nivel qendror, marrjen e masave që familjeve në pamundësi financiare për të paguar këto 2 shërbime bazë t’iu paguhet nga fondi emergjencës.

Kaq për momentin si dhe situatën do të mjaftonin për familjet Rome, pasi nuk dua të përmend politika si: rimëkëmbja ekonomike e bizneseve Rome, punësimi i tyre si dhe kthimin në punë të atyre që e humbën gjatë kësaj kohe, arsimimin dhe mbështetjen me logjistikën e duhur për aksesin online të mësimeve si dhe paketave me internet (i cili duhet të bëhet free në situata të tilla), etj.

Familjet rome në fillim kanë nevojë të mbijetojnë kësaj situate si dhe pak e nga pak të rimëkëmbim atë që humbëm e të fitojmë atë që duhet për një të ardhme me sfida më të lehta për përballimin e vështirëve të përditshme në jetën e zakonshme.

Tuesday, December 15, 2020

Intervistë: Mediatori Komunitar gjatë valës së parë të Pandemisë, përvoja e Z. Gerald Arapi, student në degën Bio-Teknologji Ushqimore.

 

Si student, si e keni pritur masën e karantinimit që u shtri përgjatë periudhës mars deri në maj?

Si fillim, nuk e prisnim që të ishte një periudhë kaq e gjatë. Menduam se do të zgjaste vetëm dy deri në tre javë. Por me kalimin e ditëve, si student vura re se po shtyhej dhe zgjatej periudha me nga një apo dy javë. Më pas dhe përveç vështirësive të tjera, si student fillova të ndjeja vështirësi në marrjen e leksioneve. Unë studioj Bio-Teknologji Ushqimore, dhe jemi të lidhur ngushtë me punën në laborator. Në kushte shtëpia ishte i vështirë ndërveprimi me pedagogët. Stafi pedagogjik nga ana tjetër nuk ishte i përgatitur për të përdorur platformat online.

Si jeni angazhuar si mediator komunitar, dhe cili ka qenë roli juaj?

Kam aplikuar në thirrjen që kishte nxjerrë një organizatë e cila kërkonte te angazhonte studentë në rolin e mediatorit komunitar. Në zonën time në qytetin e Korçës, duhet të identifikoja raste problematike në komunitet. Fillimisht, isha i fokusuar në lehtësimin për të marr shërbime shëndetësore, por më pas jam angazhuar edhe në lehtësimin për të marrë shërbime të tjera publike për komunitetin. Gjatë kësaj kohe, kam mbledhur të dhëna nga terreni për numrin dhe shkallën e familjeve të prekura nga kufizimet e Covid-19, dhe nevojat për ndihmë humanitare.

Sa persona keni lehtësuar, dhe si keni vepruar?

Si mediator, kam qenë në kontakt me përafërsisht 30 familje, fokusi ka qenë për t’i ndërmjetësuar me shërbimet që ofron bashkia. Të informoja familjet lidhur me masat e marra nga autoritetet përkatëse, dhe programet në dispozicion të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, duhet të informoja Bashkinë rreth situatës së vështirë sociale dhe ekonomike të familjeve në mënyrë për të treguar vëmendje tek familjet më në nevojë.




Si do ta përshkruaje situatën e familjeve Rome dhe Egjiptianë gjatë pandemisë, veçanërisht në periudhën e izolimit?

Duke qenë në kontakt të drejtpërdrejt, mund të shprehem se kam jetuar nën të njëjtën çati me familjet. Situata nuk ka qenë e mirë, sepse një pjesë e konsiderueshme punojnë informalisht si riciklues, shitës ambulant, apo tregtar rrobash të përdorura në treg. Duke qenë të pa licencuar, nuk figuronin në skemën e sigurimeve shoqërore, dhe për rrjedhojë nuk kanë mundur që të përfitojnë nga pagat e luftës. Madje, i është bllokuar edhe malli i blerë për stinën duke qenë se ishim në prag të ndërrimit të stinëve, kështu që malli dimëror i mbeti stok.

A ka pasur impaktin e duhur mediatori, dhe a e sheh të nevojshme shtrirjen e saj?

Duke marrë parasysh situatën në fillim të angazhimit tim si mediator komunitar, kam vënë re mungesë të lartë informimi, madje deri në dis-informim mbi pjesën e pandemisë. Nuk ishin të sigurt apo të qartë rreth protokolleve të ruajtjes së vetes nga Covid-19. Prandaj, mund të shprehem se ka qenë i nevojshëm roli jonë për t’i orientuar rreth protokolleve të miratuara nga shteti shqiptar. Pra, detyra jonë primare, ka qenë rritja e ndërgjegjësimit. Nga ana tjetër, komuniteti kishte vështirësi për të marrë shërbime në dukje të thjeshta, fjala bie, një leje dalje nga platforma e-Albania. Gjatë Gushtit, kam ndihmuar disa anëtarë të komunitetit për të aplikuar për pasaporte në E-Albania. Ka qenë e vështirë ta kryenin vetë pasi nuk dinin si të regjistroheshin në portal.

Si e sheh në praktikë rolin e mediatorit ndërkohë që po përjetojmë valën e dytë të Covid-19, të paralajmëruar më herët nga ekspertët?

Nëse do të kemi kufizime të tjera sikurse në valën e parë, ndërkohë që bizneset dhe qytetarët po vazhdojnë të vuajnë pasojat ekonomike, pa përmendur humbjet në jetë, apo traumën psikologjike, roli i mediatorit nuk duhet të mungojë. Jo vetëm që do të lehtësonin familjet, por do t’i vinin në ndihmë edhe institucioneve me të dhëna, referim të rasteve, orientimin e nevojave, dhe lehtësim me punën në terren. I rekomandoj institucioneve mbështetjen e veprimtarisë së mediatorit komunitar pasi do t’i vinte në ndihmë jo vetëm komunitetit, por edhe shtresave të tjera në nevojë, dhe banorëve në zonat e thella rurale.

Cili është mesazhi juaj për komunitetin?

Të respektojnë vazhdimisht masat Anti-Covid. Të marrin seriozisht situatën, pavarësisht se kanë nevojë të sigurojnë të ardhura, por shëndeti është kryesor. Të bëjnë kujdes ndërkohë që sigurojnë mbijetesën, edhe pse është mision i vështirë.

 

Sunday, December 13, 2020

MEGI POJANI E VESHUR ME NGJYRAT E FLAMURIT TË KOMUNITETIT ROM ?

Megi Pojani, për publikun shqiptar njihet si aktore e cila ka marr pjesë në disa premiera filmi dhe një vajzë aktive në rrjete sociale, dhe tepër e ndjekur në Instagram. Vajza e çiltër e cila është pjesë e rubrikës “Maskat” në emisionin E Diell, ra në sy veshja e saj, ku disa komentues në instagram e cilësuan si veshje peme e Vitit të Ri ! Por disa të tjerë e lidhin krejt me diçka tjetër, bëhet fjalë për flamurin Rom. 


Pasi flamuri Rom, ka tre ngjyra ku
ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të Romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin. Ende nuk dihet nëse Megi ka ndonjë lidhje me komunitetin Rom dhe kjo mbetet për t’u zbuluar, dhe tjetra është se ngjyra e vetme që i mungon Megit në veshje është e kuqe, ose e ka ngjyrën por nuk ia tregon publikut.

Wednesday, December 9, 2020

A duhet të njihet formalisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale roli dhe veprimtaria e mediatorit të shëndetit?



Vitet e fundit, janë ndërmarrë hapa pozitive për përmirësimin e sistemit shëndetësor ku theksi i është vënë integrimit të shërbimeve sociale në qendrat e kujdesit shëndetësor, dhe ofrimi i shërbimeve sa më pranë vendbanimit të qytetarit. Megjithatë, ka ende aspekte të cilat kërkojnë ndërhyrje për sigurimin e aksesit për grupet vulnerabël, veçanërisht nga komuniteti rom dhe egjiptian ku përveç varfërisë, mungesës së aksesit në informacion, rëndon edhe diskriminimi dhe mungesa e besimit tek institucionet në përgjithësi, dhe sistemin e shëndetësisë ne veçanti. Një ndër aspektet ende të pa trajtuara, pavarësisht kuadrit ligjor dhe politikbërës, është nevoja për të institucionalizuar dhe financuar rolin Mediatorit të shëndetit për të lehtësuar aksesin në sistemin shëndetësor. Një nevojë e tillë është bërë veçanërisht e dukshme gjatë valës së parë të pandemisë, dhe vazhdon të jetë e tillë.

Projekte të zbatuara nga organizata të ndryshme me fokus punën dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara me fokus të posaçëm mediatorin komunitar apo të shëndetit, kanë nisur që herët  nga viti 2011 në Shqipëri. Disa breza të rinjsh, të rejash edhe të rriturish janë trajnuar rreth rolit, detyrave, dhe kontributit të mediatorit si urë lidhëse ndërmjet komunitetit dhe institucioneve. Së fundmi, gjatë valës së parë të pandemisë ku e gjithë vëmendje dhe përpjekjet ishin të përqendruara për t'i ardhur në ndihmë qytetarëve, dy organizata kanë mbështetur punën e mediatorit të shëndetit për të lehtësuar marrjen e shërbimeve nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Organizata, ALBANIAN COMMUNITY ASSIST (ACA) ka trajnuar të rijnë Rom dhe Egjiptianë që para valës së parë të pandemisë, dhe kanë organizuar takime ndërgjegjësuese në terren për tema të ndjeshme dhe me interes për publikun rom dhe egjiptian. Ndërsa, gjatë pandemisë, janë organizuar disa takime në Elbasan, Berat, Fier, dhe në qytete të tjera. Vetëm në Elbasan janë informuar rreth 111 Romë dhe Egjiptianë janë informuar rreth masave paraprake Anti-Covid.

Një tjetër organizatë, Roma Versitas Albania, ka ngritur dhe organizuar një platformë me mediatorë shëndetësor të cilët kanë operuar virtualisht për të lehtësuar efektet e pafavorshme të COVID-19. Mediatorët e shëndetit, me profil në mjekësi, kanë lehtësuar përmes telefonit me këshilla praktike gjatë situatës së pandemisë. Sipas të dhënave të Roma Versitas Albania, janë asistuar rreth 419 Rome dhe Egjiptianë, dhe më shumë se 50 raste kanë marrë shërbim të drejtpërdrejtë për të shmangur daljen nga banesa.

Në intervistat e zhvilluara me dy nga Mediatorët e shëndetit kanë reflektuar mbi punën dhe angazhimin e tyre në këtë periudhë. Sipas tyre, roli i mediatorit të shëndetit i ka ardhur në ndihma qindra individëve të gjitha moshave të cilat e kanë parë si një pikë mbështetjeje.

1.       Ju jeni angazhuar si mediatore e shëndetit, si u betë pjese e kësaj inisjative dhe cili ka qene roli juaj?

Esmeralda. D: Kam studiuar mjekësi, dhe jam bërë pjesë e platformës së mediatorëve të shëndetit duke aplikuar në një thirrje të shpallur nga një organizatë.

Suada. M: Jam bërë pjesë e këtij grupi pasi aplikova në thirrjen që shpalli organizata Roma Versitas Albania. Ka qenë  eksperiencë e bukur dhe e vlefshme e për mua.

2. Si është zhvilluar puna si mediatore e shëndetit, sa raste keni lehtësuar dhe në çfarë forme (ndihme nga telefoni, në terren, në Chat)

Esmeralda. D: Ka pasur raste të shumta jo vetëm lidhur me pandeminë por dhe raste të tjera që kanë kërkuar shërbim shëndetësor. Janë asistuar nëpërmjet telefonit, dhe takimeve në terren.

Suada. M: Puna si mediatore shëndeti është zhvilluar në terren ku kam shërbyer tek familjet e Rome dhe Egjiptiane në kombinat. Por, më shumë jam angazhuar përmes telefonit ku kam identifikuar vetëm dy raste me Covid-19.

3. Si do ta përshkruaje situatën ekonomike dhe shëndetësore të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane gjatë pandemisë, veçanërisht në kohën e izolimit.

Esmeralda. D: Situata ekonomike dhe shëndetësore ka qenë shumë e vështirë sepse kushtet e jetesës I bën më të rrezikuar ndaj virusit. Një ndër faktorët janë kushtet në infrastrukturë dhe higjeno-sanitare.  

Suada. M: Do ta përshkruaja me një fjali të thjeshtë, janë të harruar nga të gjithë.  Kanë kaluar, dhe po e përjetojnë ende një situatë të vështirë për shkak të papunësisë, dhe varfërisë së thellë. Fëmijët dhe gratë kanë nevojë për shërbime mjekësore të specializuara, por nuk kanë mundësi financiare.

4. A mendoni se roli i mediatorit të shëndetit ka qenë i nevojshëm, dhe a ka sjellë rezultatet e pritura?

Esmeralda. D: Po, besoj se roli i mediatorit ka qenë i nevojshëm dhe ka sjellë rezultatet e pritura në  komunitet në aspektin e shëndetësisë në këtë kohë pandemie.

Suada. M: Mediatori i shëndetit luan një rol të rëndësishëm tek komuniteti pasi atyre mund t’i hapet dyer të cilët janë përplasur në fytyrë anëtarëve të komunitetit për shkak të përkatësisë etnike.

5. Si e shihni në vazhdim rolin e mediatorit të shëndetit gjatë valës së dytë të pandemisë, a është e nevojshme shtrirja e saj?

Esmeralda. D: Besoj se roli i mediatorit të shëndetit duhet të ketë vazhdimësi, sepse situata është po njësojë ose dhe më e rënduar se më parë.

Suada. M: Rolin e mediatorit e shoh të rëndësishëm duke pasur frikën edhe të një izolimi tjetër. Mediatori mund të jetë personi qe mund t’i hape një dritare për në sistemin e shëndetësisë.

6. Cili është mesazhi juaj për komunitetet gjatë kësaj periudhe të dytë të pandemisë?

Esmeralda. D: Të ruajmë veten dhe të tjerët! 

Suada. M: Nga rastet që po shoh përditë në rutinën time të punës, situata duhet të merret seriozisht. Mos krijoni grumbullime, mbroni fëmijët dhe familjet tuaja.

7. Cfarë mesazhi keni për institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale?

Esmeralda. D: Si pjesë e fushës së shëndetësisë e ndjej si detyrim njerëzor për komunitetin Rom dhe atë Egjiptian, që Mediatorët e shëndetit të jenë koherentë me atë çka ndodh në këto komunitete sepse kanë shumë mungesa ekonomike dhe sociale. Kushtet janë jo të favorshme në këtë kohë pandemie prandaj është e nevojshme mediatorëve të shëndetit si ura lidhëse midis komunitetit dhe institucioneve shëndetësore që t’i vijmë  sado pak në ndihmë qe t’ia lehtësojmë menaxhimin e situatës.

Suada. M: Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëj thirrje që përmes institucioneve të saj, të kryejë vizita në terren, të identifikojë kushtet e jetesës së familjeve në aspektin e kushteve higjeno-sanitare, dhe sipas rastit të kryejë dezinfektimin e mjedisit ku jetojnë.   

Monday, December 7, 2020

SITUATA E ROMËVE GJATË PANDEMISË – INTERVISTË ME MANJOLA VEIZI-N, DREJTUESE E QENDRËS PËR TË DREJTAT E GRUAS ROME


Më 8 mars 2020, Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me Koronavirus, babë e bir, të cilët kishin ardhur në vend nga Firence. Qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri më 3 prill. Më 15 mars, Shqipëria mbylli të gjitha kufijtë e saj tokë deri në njoftimin e mëtejshëm, duke të ndaluar të gjithë udhëtimet nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Institucionet arsimore u urdhëruan të përgatiten për dhënien e mësimeve online. Të gjitha operacionet fizike të qeverisë përveç veprimtarive thelbësore u mbyllën, dhe nëpunësit civilë u urdhëruan të ofrojnë shërbimet online.

Kjo situatë e papritur dhe jo zakonshme për të gjithë, pati efekte me negative tek familjet e varfëra e të papuna Rome, të cilët duke e përballur jetën nëpërmjet punëve të rëndomta rastësore apo mbledhjes së materialeve të riciklueshme, u përballën me mungesën e ushqimit bazë dhe mbijetesa e tyre u vu në rrezik. Të gjendur në këto kushte romët në qytete të ndryshme u ngritën në protesta gjatë periudhën e izolimit duke u kërkuar autoriteteve shqiptare për tu  përfshirë në paketat ekonomike të mbështetjes. Për situatën e Romëve, më poshtë mund të lexoni intervistën me znj. Manjola Veizi.

Në kohën e pandemisë Covid-19, kur të gjithë ishim të izoluar, Romët lëshuan apel për ndihmë nga të 4-ta anët e Shqipërisë, cili ka qënë kontributi juaj në këtë rast si drejtuese e organizatës Qendra për të Drejtat e Gruas Rome?


Sapo u vumë në dijeni që shumë familje rome po përballeshin me mungesë të ushqimit, i tërë stafi i Qendra për të Drejtat e Gruas Rome (QDGR) u vumë në lëvizje për tu ardhur në ndihmë me sa të mundnim.  Dërguam  disa shkresa institucioneve vendore dhe qëndrore duke u paraqitur situatën dhe kërkuar  që të marrin menjëherë masa për të siguruar ushqim dhe baza higjenike të nevojshme për familjet e varfëra rome dhe egjiptiane. Njëkohësisht u bëmë thirrje për ndihmë dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e  BE-së në Shqipëri,  OSCE, UNICEF,etj . Fatmirësisht disa nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare reaguan pozitivisht përkundrejt thirrjes tonë dhe ofruan ndihmë nëpermjet nesh apo strukturave të tyre.  Stafi i Prezencës së  OSCE- së  në Shqipëri na kontaktoi menjëherë dhe na komunikoi se vetë ambasadori ishte perfshirë direkt në këtë cështje dhe u kish komunikuar strukturave eprore në Vjenë situatën duke kërkuar ndërhyrje për të adresuar situatën. Madje ambasadori bashkë me disa punonjës të OSCE-së ofruan nga të ardhurat e tyre personale dhe siguruan disa paketa ushqimore për disa nga familjet e varfëra.

2. Cila ka qënë nevoja më e madhe për komunitetin Rom dhe Egjiptjan ? Sa familje R & E kanë përfituar nga donacionet tuaja ?

Nevoja më e madhe në ato kohë për komunitetin ishte baza ushqimore dhe pajisjet higjenike, të dyja jetike po të konsiderojmë dhe rrezikun e shtuar për tu infektuar nga covid-19. Kontaktuam menjëherë me mbeshtetësit e qendrës tone dhe kërkuam mundësine e rialokimit të disa fondeve në sigurimin e paketave ushqimore dhe higjenike për familjet e varfëra.  Me mbështetjen e “Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve”, “Kryqit të  Kuq Shqiptar”, “World Vizion” dhe “Të ndryshëm dhe të Barabartë”  siguruam dhe shpërndamë rreth 700 paketa ushqimore në Tiranë, Korcë, Fier dhe Shkodër. U jemi shumë mirënjohës mbështetësve tanë pasi mbështetja e tyre në atë kohë ishte vërtet jetike. Nga sa na është komunikuar nga shumica e përfituesve por dhe nga cka kemi mundur të vëzhgojme  dhe vetë, në disa zona paketat e ofruara nga ne apo organizata të tjera kanë qenë të vetmet  ushqime për romët. Fatkeqësisht në atë kohë nevoje mbështetja nga shteti mungoi për shumicën e familjeve rome dhe egjiptiane të kategorisë së përmendur më lart. Dhe ato familje që rezultuan gjatë kohës së pandemisë përfitues të ndihmës ekonomike dhe përfituan mbështetje me paketa ushqimore bazë nga strukturat e qeverisjes vendore , pohuan  se kishin marrë vetëm një paketë në sasi të paktë e cila nuk plotësonte aspak nevojat e tyre. Kjo solli si pasojë që  shumë nga individët që fitonin të ardhurat nëpërmjet  riciklimit të thyenin rregullat e izolimit e të dilnin “ne pune”, duke vënë shëndetin e tyre në rrezik .

3. Si ka qënë bashkpunimi me institucionet, keni patur marreveshje me njëra-tjetrën ?

Letrave tona të shqetësimit dërguar istitucioneve lidhur me  situatën me të cilën romët dhe egjiptianët po përballeshin për shkak të izolimit ju përgjigjen disa nga istitucionet vendore e qendrore përfshirë Ministrinë e Shëndetit dhe Mbrojtjes sociale dhe Bashkitë e Tiranës, Fierit, Korcës, Shkodrës. Ata pranuan se dhe ato vetë ishin të shqetësuar për situaten, dhe  ja kishin përcjellë atë istitucioneve përkatëse . Ata kishin rekomanduar  dhe miratimin e nje pakete/plani  tjetër ndihme për këtë kategori familjesh që nuk mundi të perfitonte nga asnjë nga paketat e ndihmës miratuar më parë. Ata na njoftuan se ishin munduar  të siguronin mbështetje nga organizatat me të cilat bashkëpunonin, dhe kërkuan mirëkuptim  dhe bashkëpunim për përballimin e situatës. Në vijim të këtij komunikimi ne bashkëpunuam me këto bashki, dhe ndamë paketa ushqimore bazë tek ato familje që ato na udhëzuan, të cilat ishin jashtë listës së përfituesve të ndihmës ekonomike.

4. Po përsa i përket organizatave rome, keni patur bashkpunime me njëra-tjetrën ?

Bashkëpunimi me organizatat rome ka qenë shumë i  mirë. QDGR  bashkëpunoi me organizatat që operojnë në Tiranë, Korcë, në Fier dhe në Shkodër, të cilat identifikuan familjet në nevojë. Në komunikim të vazhdueshëm me njeri tjetrin  nëpërmjet platformave online apo gjatë takimeve në terren, koordinuam veprimet tona dhe identikuam  familjet që nuk ishin asistuar nga asnjëri nga ne deri në atë kohë.

 5. Si është situata e romëve tani pas pandemisë, ka patur përmirësime ?

Po të bëjmë krahasim me periudhën e izolimit , mund të them se aktualisht është më mirë pasi tani ata kanë mundësi të dalin dhe sigurojnë sadopak  ushqim në tryezat e tyre. Por në qoftë se do ta krahasonim me pjesën para pandemisë situata është shumë më keq pasi shumë biznese janë mbyllur. Kjo ka ndikuar në uljen e kërkesës për punë krahu , punë në pastrim,   apo sektorë të tjerë të punësimit afatshkurter/informal - punë në të cilat romët dhe egjiptianët kanë më shumë mundësi për tu angazhuar. Mbyllja e kufijve gjithashtu dëmtoi ato familje që siguronin të ardhurat nëpërmjet punës sezonale në vendet fqinje. Pandemia e zhyti  më shumë në varfëri komunitetin rom dhe egjiptian.

6. Mendon se orari 22:00 – 06:00 i vendosur nga qeveria për të mos të lëvizur, pengon komunitetin Rom dhe Egjiptjan për të punuar ?

Orari i vendosur tani ndikon në një mënyre jo propocionale komunitetin rom/egjiptian pasikufizon punën e individëve që merren me riciklimin. Shumica e tyre dalin “për punë” gjatë këtij orari. Respektojmë cdo masë të miratuar nga qeveria për mbrojtjen e shëndetit publik por besoj se cdo kufizim duhet të shoqerohet me ofrimin e ndihmës për personat që preken.

 7. A dini raste nga komuniteti Rom apo Egjiptjan, të cilët janë prekuar nga covid-19 ?

Ka filluar të prekë komunitetin, por shifrat janë shumë minimale dhe jo shumë shqetësuese për momentin. Gjatë gjithë kësaj kohe që nga fillimi i pandemisë stafi jonë ka ndërgjegjësuar vazhdimisht gratë dhe vajzat rome vecanërisht për masat që duhet të ndërmarin për tu mbrojtur nga virusi. Me ndihmën e një projekti financuar nga UN Ëomen kemi siguruar maska dhe paketa të vogla higjenike për përfituesit e aktiviteteve tona. 

Weekly News/O. Sherifi

 




 

Premiera e filmit “Our Roma Heroine” në ambjentet e Kongresit Rinor Kombëtar

Tashmë pas disa ditësh pritje u shfaq filmi me metrazh të shkurtër “Our Roma Heroine.” Grupi Our Roma Hero, të cilët janë shpallur fitues në...