Monday, December 7, 2020

SITUATA E ROMËVE GJATË PANDEMISË – INTERVISTË ME MANJOLA VEIZI-N, DREJTUESE E QENDRËS PËR TË DREJTAT E GRUAS ROME


Më 8 mars 2020, Shqipëria konfirmoi dy rastet e para me Koronavirus, babë e bir, të cilët kishin ardhur në vend nga Firence. Qeveria ndaloi të gjitha fluturimet dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë deri më 3 prill. Më 15 mars, Shqipëria mbylli të gjitha kufijtë e saj tokë deri në njoftimin e mëtejshëm, duke të ndaluar të gjithë udhëtimet nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Institucionet arsimore u urdhëruan të përgatiten për dhënien e mësimeve online. Të gjitha operacionet fizike të qeverisë përveç veprimtarive thelbësore u mbyllën, dhe nëpunësit civilë u urdhëruan të ofrojnë shërbimet online.

Kjo situatë e papritur dhe jo zakonshme për të gjithë, pati efekte me negative tek familjet e varfëra e të papuna Rome, të cilët duke e përballur jetën nëpërmjet punëve të rëndomta rastësore apo mbledhjes së materialeve të riciklueshme, u përballën me mungesën e ushqimit bazë dhe mbijetesa e tyre u vu në rrezik. Të gjendur në këto kushte romët në qytete të ndryshme u ngritën në protesta gjatë periudhën e izolimit duke u kërkuar autoriteteve shqiptare për tu  përfshirë në paketat ekonomike të mbështetjes. Për situatën e Romëve, më poshtë mund të lexoni intervistën me znj. Manjola Veizi.

Në kohën e pandemisë Covid-19, kur të gjithë ishim të izoluar, Romët lëshuan apel për ndihmë nga të 4-ta anët e Shqipërisë, cili ka qënë kontributi juaj në këtë rast si drejtuese e organizatës Qendra për të Drejtat e Gruas Rome?


Sapo u vumë në dijeni që shumë familje rome po përballeshin me mungesë të ushqimit, i tërë stafi i Qendra për të Drejtat e Gruas Rome (QDGR) u vumë në lëvizje për tu ardhur në ndihmë me sa të mundnim.  Dërguam  disa shkresa institucioneve vendore dhe qëndrore duke u paraqitur situatën dhe kërkuar  që të marrin menjëherë masa për të siguruar ushqim dhe baza higjenike të nevojshme për familjet e varfëra rome dhe egjiptiane. Njëkohësisht u bëmë thirrje për ndihmë dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Delegacionin e  BE-së në Shqipëri,  OSCE, UNICEF,etj . Fatmirësisht disa nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare reaguan pozitivisht përkundrejt thirrjes tonë dhe ofruan ndihmë nëpermjet nesh apo strukturave të tyre.  Stafi i Prezencës së  OSCE- së  në Shqipëri na kontaktoi menjëherë dhe na komunikoi se vetë ambasadori ishte perfshirë direkt në këtë cështje dhe u kish komunikuar strukturave eprore në Vjenë situatën duke kërkuar ndërhyrje për të adresuar situatën. Madje ambasadori bashkë me disa punonjës të OSCE-së ofruan nga të ardhurat e tyre personale dhe siguruan disa paketa ushqimore për disa nga familjet e varfëra.

2. Cila ka qënë nevoja më e madhe për komunitetin Rom dhe Egjiptjan ? Sa familje R & E kanë përfituar nga donacionet tuaja ?

Nevoja më e madhe në ato kohë për komunitetin ishte baza ushqimore dhe pajisjet higjenike, të dyja jetike po të konsiderojmë dhe rrezikun e shtuar për tu infektuar nga covid-19. Kontaktuam menjëherë me mbeshtetësit e qendrës tone dhe kërkuam mundësine e rialokimit të disa fondeve në sigurimin e paketave ushqimore dhe higjenike për familjet e varfëra.  Me mbështetjen e “Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve”, “Kryqit të  Kuq Shqiptar”, “World Vizion” dhe “Të ndryshëm dhe të Barabartë”  siguruam dhe shpërndamë rreth 700 paketa ushqimore në Tiranë, Korcë, Fier dhe Shkodër. U jemi shumë mirënjohës mbështetësve tanë pasi mbështetja e tyre në atë kohë ishte vërtet jetike. Nga sa na është komunikuar nga shumica e përfituesve por dhe nga cka kemi mundur të vëzhgojme  dhe vetë, në disa zona paketat e ofruara nga ne apo organizata të tjera kanë qenë të vetmet  ushqime për romët. Fatkeqësisht në atë kohë nevoje mbështetja nga shteti mungoi për shumicën e familjeve rome dhe egjiptiane të kategorisë së përmendur më lart. Dhe ato familje që rezultuan gjatë kohës së pandemisë përfitues të ndihmës ekonomike dhe përfituan mbështetje me paketa ushqimore bazë nga strukturat e qeverisjes vendore , pohuan  se kishin marrë vetëm një paketë në sasi të paktë e cila nuk plotësonte aspak nevojat e tyre. Kjo solli si pasojë që  shumë nga individët që fitonin të ardhurat nëpërmjet  riciklimit të thyenin rregullat e izolimit e të dilnin “ne pune”, duke vënë shëndetin e tyre në rrezik .

3. Si ka qënë bashkpunimi me institucionet, keni patur marreveshje me njëra-tjetrën ?

Letrave tona të shqetësimit dërguar istitucioneve lidhur me  situatën me të cilën romët dhe egjiptianët po përballeshin për shkak të izolimit ju përgjigjen disa nga istitucionet vendore e qendrore përfshirë Ministrinë e Shëndetit dhe Mbrojtjes sociale dhe Bashkitë e Tiranës, Fierit, Korcës, Shkodrës. Ata pranuan se dhe ato vetë ishin të shqetësuar për situaten, dhe  ja kishin përcjellë atë istitucioneve përkatëse . Ata kishin rekomanduar  dhe miratimin e nje pakete/plani  tjetër ndihme për këtë kategori familjesh që nuk mundi të perfitonte nga asnjë nga paketat e ndihmës miratuar më parë. Ata na njoftuan se ishin munduar  të siguronin mbështetje nga organizatat me të cilat bashkëpunonin, dhe kërkuan mirëkuptim  dhe bashkëpunim për përballimin e situatës. Në vijim të këtij komunikimi ne bashkëpunuam me këto bashki, dhe ndamë paketa ushqimore bazë tek ato familje që ato na udhëzuan, të cilat ishin jashtë listës së përfituesve të ndihmës ekonomike.

4. Po përsa i përket organizatave rome, keni patur bashkpunime me njëra-tjetrën ?

Bashkëpunimi me organizatat rome ka qenë shumë i  mirë. QDGR  bashkëpunoi me organizatat që operojnë në Tiranë, Korcë, në Fier dhe në Shkodër, të cilat identifikuan familjet në nevojë. Në komunikim të vazhdueshëm me njeri tjetrin  nëpërmjet platformave online apo gjatë takimeve në terren, koordinuam veprimet tona dhe identikuam  familjet që nuk ishin asistuar nga asnjëri nga ne deri në atë kohë.

 5. Si është situata e romëve tani pas pandemisë, ka patur përmirësime ?

Po të bëjmë krahasim me periudhën e izolimit , mund të them se aktualisht është më mirë pasi tani ata kanë mundësi të dalin dhe sigurojnë sadopak  ushqim në tryezat e tyre. Por në qoftë se do ta krahasonim me pjesën para pandemisë situata është shumë më keq pasi shumë biznese janë mbyllur. Kjo ka ndikuar në uljen e kërkesës për punë krahu , punë në pastrim,   apo sektorë të tjerë të punësimit afatshkurter/informal - punë në të cilat romët dhe egjiptianët kanë më shumë mundësi për tu angazhuar. Mbyllja e kufijve gjithashtu dëmtoi ato familje që siguronin të ardhurat nëpërmjet punës sezonale në vendet fqinje. Pandemia e zhyti  më shumë në varfëri komunitetin rom dhe egjiptian.

6. Mendon se orari 22:00 – 06:00 i vendosur nga qeveria për të mos të lëvizur, pengon komunitetin Rom dhe Egjiptjan për të punuar ?

Orari i vendosur tani ndikon në një mënyre jo propocionale komunitetin rom/egjiptian pasikufizon punën e individëve që merren me riciklimin. Shumica e tyre dalin “për punë” gjatë këtij orari. Respektojmë cdo masë të miratuar nga qeveria për mbrojtjen e shëndetit publik por besoj se cdo kufizim duhet të shoqerohet me ofrimin e ndihmës për personat që preken.

 7. A dini raste nga komuniteti Rom apo Egjiptjan, të cilët janë prekuar nga covid-19 ?

Ka filluar të prekë komunitetin, por shifrat janë shumë minimale dhe jo shumë shqetësuese për momentin. Gjatë gjithë kësaj kohe që nga fillimi i pandemisë stafi jonë ka ndërgjegjësuar vazhdimisht gratë dhe vajzat rome vecanërisht për masat që duhet të ndërmarin për tu mbrojtur nga virusi. Me ndihmën e një projekti financuar nga UN Ëomen kemi siguruar maska dhe paketa të vogla higjenike për përfituesit e aktiviteteve tona. 

Weekly News/O. Sherifi

 




 

No comments:

Post a Comment

Premiera e filmit “Our Roma Heroine” në ambjentet e Kongresit Rinor Kombëtar

Tashmë pas disa ditësh pritje u shfaq filmi me metrazh të shkurtër “Our Roma Heroine.” Grupi Our Roma Hero, të cilët janë shpallur fitues në...