ZVICËR - Ka dhunuar me qindra herë të bijën e mitur ndërsa Gjykata e
landit në Landshut e ka dënuar me vetëm 4 vjet e dhjetë muaj burg
kosovarin 55-vjeçar. Babai i pashpirt ka pranuar pjesërisht para trupit
gjykues krimin, të cilin e ka kryer gjatë gjashtë viteve të fundit.
Siç bën të ditur media gjermane, wochenblatt.de, të cilës i referohet
Albinfo në Zvicër, dhunën seksuale ndaj të bijës, ai e kishte filluar
kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe dhe e kishte ndërprerë vetëm kur e kishte
denoncuar bashkëshortja, tashmë e ndarë nga ai.
Pranimi i veprës nga ana e tij kishte mundësuar, sipas gjykatës, që e
bija të kursehej nga detyrimi për të dëshmuar për dhunën e pashembullt,
që kishte përjetuar nga babai i saj biologjik. Si pasojë e traumave të
pësuara, ajo i është nënshtruar për gjashtë javë një trajtim psikiatrik
rehabilitues por, siç ka thënë gjatë procedurës paraprake, kujtimet e
tmerrshme vazhdojnë ta mundojnë. Ajo ka thënë se është dhunuar "me
mijëra herë".
Kur e ëma e vajzës, më 3 mars të këtij viti e ka ballafaquar
ish-bashkëshortin me veprimet e kryera, 55-vjeçari i ka kërcënuar se do
t`i vriste dhe do t`ia vinte flakën shtëpisë, nëse do ta denonconin në
polici. Ato megjithatë e kishin denoncuar.
“Bashkëshortja gjatë kësaj periudhe ka qëndruar më tepër në Kosovë se
sa me të në Gjermani, kështu që më është dashur të kujdesesha për pesë
vajzat. Duke e larë në banjë vajzën e vogël më janë `ngjallur ndjenjat
seksuale (!) ndaj saj", ka thënë ai.
Akuza e rëndon për 455 përdhunime seksuale, të cilat janë përshkruar
me hollësi. Po ashtu aty thuhet se ai secilën herë ka përdorur dhunën
fizike duke i shkaktuar të bijës hematoma në krahë. Ndërkaq i akuzuari
relativizon numrin dhe veprimet, duke thënë se veprime të vërteta
seksuale ndaj të bijës i ka bërë "vetëm" kur ajo i ka mbushur 14 vjeç!
Përveç pranimit të veprës, si rrethanë tjetër lehtësuese për babanë e
pashpirt, është marrë fakti se gjatë qëndrimit në burg ai ka qenë
vazhdimisht i kërcënuar me dhunë nga të burgosurit tjerë. Për këtë arsye
ai madje dy herë ka provuar të bënte vetëvrasje.
Përveç dënimit me 4 vjet e 10 muaj burg ai duhet edhe t`i paguajë një
dëmshpërblim prej së paku 10 mijë euro vajzës së dhunuar. Po kështu,
pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet në Kosovë.
/Shekulli Online/ E.L/