Sunday, September 8, 2013

Mediat: Ndërhyrja ushtarake në Siri brenda 3 ditëve, nis me bombardime

SHBA- Ndërhyrja ushtarake në Siri do të bëhet brenda tre ditëve. Kështu kanë deklaruar sot mediat amerikane. 
Sipas tyre, Pentagoni po bëhet gati të nisë sulmin ajror, i cili do jetë më i gjatë dhe më intensiv se sa ishte programuar më herët. Kështu shkruan sot Los Angeles Times. 
Strategët amerikanë mësohet se do të nisin sulmin fillimisht me bombardime nga ajri, i pasuar nga sulme të tjera drejt objektivave të pa shkatërruara në sulmin e parë, citon gazeta burime zyrtare të Pentagonit, ndërkohë që pesë luftanije "Destroyer" ndodhen në gatishmëri në Mesdheun lindor.
Po sipas gazetës, Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një listë të zgjeruar të objektivave që do sulmohen, në vend të 50 të tillave të parashikuara më herët. 
Ekziston mundësia që aeroplanmbajtësja "Nimitz" dhe tre luftanijet "Destroyer" që ndodhen në Detin e Kuq të ndërmarrin një sulm ndaj Sirisë. 
"Goditjet nuk do të kryhen me intervale midis tyre, por do të kufizohen brenda 72 orëve dhe do të jepet një sinjal i qartë pasi të kenë përfunduar", deklaroi njëri prej ushtarakëve për të përditshmen "Los Angeles Times".
Regjimi i Assad është "përgjegjës" për sulmin më të keq me armë kimike që ka ndodhur shekullin e 21-të. "Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund të mbyllim sytë para imazheve që kemi parë edhe nëse kjo ka ndodhur në anën tjetër të botës." Kështu ka deklaruar të shtunën presidenti amerikan, Barack Obama. 
(ma.ar/BalkanWeb)

Thursday, September 5, 2013

Partizani në krye pas 2095 ditësh

Kanë kaluar plot gjashtë vjet, ose më saktë 2095 ditë, kur #Partizani ka qenë për herë të fundit në krye të tabelës së klasifikimit të Kategorisë Superiore. Atë sezon futbollistik "Të Kuqtë" kanë rivalizuar fort me Dinamon për të fituar titullin kampion, i cili i mungon që nga viti 1993, megjithatë nuk ia kanë arritur një gjëje të tillë, pasi kanë humbur në ndeshjen finale ndaj bardhebluve.

Një sezon më pas, #Partizani ka rënë nga Kategoria Superiore dhe ka njohur krizën më të madhe që nga krijimi i tij si klub. Ka qenë 1 dhjetori i vitit 2007, ose më saktë java e 13-të e kampionatit, kur Partizani ka përjetuar emocionet e kryesimit, ndërsa më pas zhgënjimi ka zënë vend te tifozët e kuq.

Por, tashmë Partizani është rikthyer pas plot gjashtë vitesh e nëntë muajsh në krye të tabelës së klasifikimit, kur është luajtur vetëm java e parë e kampionatit.

Fitorja 2-0 ndaj Kastriotit i ka vendosur të kuqtë pas javës së parë të kampionatit dhe për një gjë të tillë të gjithë ndihen krenarë. Këtë sezon futbollistik, drejtuesit e kuq kanë ndërtuar një skuadër pa shumë bujë, e cila ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë në një transfertë mjaft të vështirë siç ishte ajo ndaj Kastriotit dhe të marrë tri pikët e plota.

Megjithatë, duhen pritur javët në vijim për të parë ecurinë e skuadrës së drejtuar nga Hasan Lika, pasi sfidën e dytë të kampionatit të kuqtë do të përballen sërish në transfertë ndaj Laçit. Edhe nëse pas këtij takimi,"Demat" do të jenë sërish në krye, atëherë ky ekip është ndërtuar pa dyshim për të rivalizuar deri në fund për titullin kampion. Drejtuesit dhe stafi teknik kanë shpallur si objektiv Kupat e Europës, por me kalimin e javëve edhe titulli mund të kthehet në një objektiv.

"Të Kuqtë" janë kthyer sërish në elitë pas një mungese katërvjeçare, gjatë së cilës kanë luajtur në kategoritë më të ulëta të kampionatit shqiptar

Wednesday, September 4, 2013

Cana karikon: Moment historik për kombëtaren

Dy ndeshje për mos tu humbur. Nuk është thjesht sllogani për të qëndruar përpara ekranit dhe ndjekur dy sfidat e kombëtares, por ky duket të jetë objektivi i kuqezinjve tanë në prag të impenjimit të dyfishtë në transfertë me Slloveninë dhe Islandën. Fjalë që dalin nga goja e kapitenit Lorik Cana që së bashku me Ansi Agollin premtojnë përkushtim dhe impenjim maksimal.

Mbrojtësi i Lacios i cili rikthehet në një ndeshje eleminatore pas mungesës ndaj Norvegjisë në qershor në Qemal Stafa, nuk do të ketë në krah Mërgim Mavraj. Cana e kupton rëndësinë e kësaj mungese por shprehet i bindur se kushdo që do të luajë do të jetë në lartësinë e detyrës, pasi forca e kombëtares shqiptare është grupi.

Sllovenia, që është dhe kundërshtari i parë i kuqezinjve, është një ekip me potencial në fazën sulmuese, duke u bazuar shumë tek mesfushorët e avancuar në krah. Njëri prej tyre është dhe Ilicic, një problem më shumë për mbrojtësit e krahëve tek kuqezinjtë, edhe pse Agolli deklaron që skuadra ka potencialin e duhur për tiu kundërvënë kundërshtarit.

Ndërkohë në fund me grintën e kapitenit, Lorik Cana ka një urim të vecantë për të bërë, një mënyrë origjinale për të karikuar më tej ambientin kuqezi.

Friday, June 14, 2013

Kreu i delegacionit të KiE, Volonte: Zgjidhni krizën në KQZ


Kryesuesi i delegacionit të KiE-së në Tiranë Luca Volonte  sheh rrezik real për kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve.
Në një intervistë për DW, Volonte thekson se partitë politike duhet ta zgjidhin sa më shpejt situatën e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
“Rreziku ka lidhje me kredibilitetin e procesit zgjedhor, me besimin e publikut tek rezultati i zgjedhjeve. Vendimi i disa partive për të dhënë dorëheqjen nga KQZ është një rrezik real, objektiv për funksionimin e KQZ. Ndërkohë Kodi Elektoral, ligji zgjedhor ka dispozita që e lejojnë KQZ të marrë vendime edhe me 4 anëtarë, por jo vendime që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Prandaj, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i ka bërë një apel të fortë drejtuesve politikë të shqipërisë, që ta zgjidhin krizën në KQZ, pasi ajo rrezikon kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Ne kemi bërë apel që të gjendet një zgjidhje për funksionimin e plotë të KQZ. Vendimin për t’i dhënë fund kësaj situate, kur nga 23 qershori kanë mbetur pak ditë, duhet ta marrin drejtuesit politikë dhe kjo duhet të bëhet në emër të së ardhmes së Shqipërisë, ky është apeli ynë, kjo është ftesa jonë” tha theksuar ai.
Volonte ka theksuar se mungesa e anëtarëve të KQZ-së mund të përdoret nga partitë për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve.
“Nga vizita në Tiranë kemi kuptuar se dikush, nuk po përmend emra nga asnjë prej partive politike, mund ta përdorë dorëheqjen e disa anëtarëve të KQZ për të pritur përfundimin e zgjedhjeve dhe ta përdorë këtë dorëheqje për të zhvlerësuar procesin dhe mos pranuar rezultatin. Ne këtë nuk e pranojmë. Sigurisht që organizmat e pavarura institucionale duhet të funksionojnë me të gjithe anëtarët dhe secili prej tyre duhet të përmirësojë kredibilitetin e institucionit dhe jo të përdorë mungesën e kredibilitetit për të protestuar në rrugë dhe sheshe. Përmes tyre nuk fitohen zgjedhjet. Ne bëjmë apel për të përmirësuar pjekurinë e demokracisë në Shqipëri, të fokusuar veçanërisht në pyetjen që u drejtojmë politikanëve protagonist: a dëshironi një demokraci të pjekur apo dëshironi të përdorni një alibi teknike? Kjo do të ishte një rrezik i mundshëm për Shqipërinë dhe do të zvogëlonte kredibilitetin në përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e re BE” theksoi Volonte.
I pyetur nëse palët politik kanë vullnet për të gjetur një formulë ligjore dhe për t’i dhënë fund krizës në KQZ, kreu i delegacionit të KiE-së Volonte është shprehur se  reagimet janë të ndryshme, disa janë pozitive, të tjera ende të pavendosura.
“Disa drejtues të forcave politike janë në linjën e dhënies fund të krizës në kQZ, të tjerë janë ende duke u menduar. Kjo do të duket në këto ditë që kanë mbetur nga 23 qershori. Zgjidhja e krizës në KQZ është në interesin të të gjithëve dhe mendoj se askush nuk do të refuzoje të dëgjojë apelin tonë” shtoi ai.
Gjithashtu, Volonte përmendi edhe disa nga standartet e Këshillit të Evropës që duhet të plotësojnë këto zgjedhje ku më kryesorja sipas tij është votimi i lirë.
“Në radhë të parë njerëzit duhet të votojnë, të votojnë lirisht për kë dëshërojnë, pa asnjë detyrim, pa asnjë presion, numërim i votave duhet të jetë transparent dhe realist, palët duhet të pranojnë rezultatin, kjo është çështje kyç. Po kështu shumë e rëndësishme është jeta parlamentare. Një nga standartet e Këshillit të Europës është jo transparenca në procesin e numërimit të votave , por edhe përmirësimi i kuptimit të demokracisë për qytetarët nga njëra anë, dhe nga tjetra duhet, që drejtuesit politikë të binden që instituvioni për të vendosur së bashku për ecurinë dhe zhvillimin demokratik të vendit është Parlamenti. Nuk mund të jetë kurrë i pranueshëm bojkoti i Parlamentit. Gjithsesi standartet e Këshillit të Europës, të BE,të OSBE/ODIHR-it dhe në përgjithësi standartet europiane nuk plotësohen kurrë të gjitha. Prandaj nuk përdoret më përkufizimi ”zgjedhje të lira dhe të ndershme” por “në linjë me standartet ndërkombëtare”, përkufizim që e kemi përdorur para tri vitesh edhe për zgjedhjet në SHBA” tha ai.
Sa i përket mospranimit nga ana e mediave të kasetave të gatshme të prodhuara në selitë e partive, Volonte  theksoi se kodi elektoral ka dispozita për të transmetuar kaseta te gatshme, pra duhet amenduar kodi elektoral në parlamentin e ardhshëm dhe duhet respektuar liria e medias.

Ndërtimet pa leje në Tiranë

Pas denoncimit në Top Channel të valës së ndërtimeve pa leje në kryeqytet, Inspektoriati i Ndërtimit ka ndërhyrë, por në menyre selektive, duke prishur të paktën vetëm njërin nga objektet e denoncuara. 

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i pyetur në lidhje me këtë situatë nuk dha një përgjigje në rast se këto ndërtime do të prishen apo jo.

Gazetarja e Top Channel: Kemi dy ditë që pasqyrojmë shtesa katesh, ndërtime pa leje, duke përfituar ndoshta nga kjo periudhe fushate...

Lulzim Basha: Po të pyetnit në Bashkinë e Tiranës do të merrnit edhe përgjigjen se çfare po bën Bashkia e Tiranës

Gazetarja e Top Channel: Kemi tentuar dhe nuk kemi marrë përgjigje...

Lulzim Basha: Unë nuk kam asnjë dijeni që media juaj ka tentuar të marrë një përgjigje. Kam parë konstatimet tuaja, siç i kam parë edhe në faqet e shtypit opozitar, kryesisht "Zëri i Popullit". Kërkoni shpjegim nga Bashkia dhe Bashkia do t'ju japë planin e plotë të masave që ne realizojmë anembanë qytetit.

Gazetarja e Top Channel: Kemi pasqyruar edhe prishjen e një ndërtimi pa leje, e pasqyruam që u ndërtua dhe u prish...

Lulzim Basha: Shumë mirë keni bërë që e keni pasqyruar. Për çdo informacion që kërkoni Bashkia e Tiranës është e hapur t'ju japë përgjigje...

Nderkohe shtesa e katit qe po ndertohej dy dite me pare ne nje pallat ne qender te kryeqytetit nuk eshte me. Do te duhej denoncimi nga Top Channel, qe ndërtimi në fjalë te mos vazhdonte, pasi, ndonese ishte fare prane zyrave te Bashkise se Tiranes, asnjë prej strukturave të saj nuk kishte vepruar deri atëherë. 

Por mesa duket ky reagim i Bashkise eshte selektiv, pasi ne te tjera objekte qe Top Channel i ka pasqyruar, puna nuk eshte ndalur dhe ende vazhdon me intesitet. Ne rruge dhe rrugica te qytetit vazhdojne te behen shtesa katesh ne pallate apo shtepi private, pa marre asnje leje te shkruar nga Bashkia, duke u mjaftuar me pazare nen dore dhe leje verbale nga kryetare te degeve te Partise Demokratike apo kandidate per deputete te saj te cilet akumulojne vota ne kete forme.

Kryetari i Bashkise mori pjese ne perurimin e rruges 'Mujo Ulqinaku', ne njesine bashkiake numër 10, e cila eshte rindertuar me fondet e Bashkise. 

5 Nëntori - Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome

  Në vitin 2008, në Zagreb u mbajt një simpozium ndërkombëtar për standardizimin e gjuhës rome, ku u vendos që data 5 nëntor të njihej si di...