Një nga artistët e artit bashkëkohor
shqiptar nga komuniteti rom, z. Sead Kazanxhiu, më ftoi krejt rastësisht të
vizitoja ekspozitën ku prezantohej edhe krijimtaria e tij. Të them të drejtën,
nuk kisha pasur fare informacion se një ekspozitë e tillë ishte hapur në
Galerinë Kombëtare të Arteve, në zonën e Kinostudios.
Mes shumë veprave artistike të
ekspozuara, vëmendjen time e tërhoqi veçanërisht krijimtaria e Seadit, e prezantuar
përmes një vepre që në gjuhën e artit njihet si instalacion.
Në qendër të saj qëndron një
motoçikletë e modifikuar, një pamje që për mua nuk është aspak e panjohur. Në
lagjet ku jetojnë familje rome, has shpesh të shohësh mjete të tilla, të
drejtuara nga të rinj që lëvizin nëpër rrugicat e lagjes, qoshe më qoshe. Janë
mjete që bëhen pjesë e përditshmërisë së tyre dhe e një realiteti urban që
rrallëherë përfaqësohet në hapësirat e artit institucional.
Motoçikleta është e mbuluar
tërësisht me tekste të marra nga titujt e mediave kryesore ndërkombëtare, të
cilat raportojnë për rritjen e turizmit dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Mbi të është vendosur një depozitë
uji prej metali, e punuar me dorë nga një zanatçi i përpunimit të metaleve.
Unazat përforcuese të depozitës janë veshur me fletë ari, duke krijuar një
kontrast të veçantë mes materialit industrial dhe elementit dekorativ. Brenda
saj dëgjohen zëra dhe biseda të regjistruara gjatë procesit të krijimit të
veprës.
Por ajo që tërheq menjëherë
vëmendjen është mbishkrimi me shkronja të mëdha, i vendosur në të katër anët e
depozitës: “PO NUK RRODHI, DO PIKOJË”. Një shprehje e njohur popullore
shqiptare, e cila në këtë kontekst merr një kuptim të veçantë dhe bëhet pjesë e
mesazhit artistik.
Vepra paraqet një cikël ekonomik dhe
social të mbyllur. Pasi depozita përfundon përdorimin dhe nuk është më
funksionale, ajo rikthehet te i njëjti komunitet, ku mblidhet dhe përgatitet
për riciklim. Kështu, objekti nuk paraqitet thjesht si një produkt i konsumit,
por si pjesë e një zinxhiri ekonomik ku asgjë nuk humbet plotësisht dhe ku puna
vazhdon të krijojë vlerë edhe pas përfundimit të përdorimit fillestar.
Përmes këtij instalacioni, Kazanxhiu
vë në pah rolin e komunitetit rom në ekonominë informale, veçanërisht përmes
punës artizanale, përpunimit të metaleve, mbledhjes së materialeve dhe
riciklimit. Janë kontribute që shpesh mbeten të padukshme për shoqërinë,
megjithëse janë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike dhe mjedisore.
Ajo që e bën veprën veçanërisht
interesante është kontrasti ironik mes dy realiteteve. Nga njëra anë, kemi
suksesin ekonomik zyrtar, të përfaqësuar përmes titujve të mediave
ndërkombëtare që flasin për rritjen e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Nga ana
tjetër, kemi ekonominë e padukshme, atë që nuk zë vend në titujt e mëdhenj
mediatikë, por që mbështetet në punën e përditshme të komuniteteve, siç është
ai rom.
Në këtë mënyrë, Sead Kazanxhiu nuk
na paraqet vetëm një objekt të transformuar në vepër arti. Ai na fton të shohim
përtej sipërfaqes, të reflektojmë mbi mënyrën se si krijohet vlera ekonomike
dhe mbi njerëzit që, përmes punës së tyre fizike dhe artizanale, mbajnë gjallë
një cikël prodhimi dhe riciklimi.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe forca e këtij instalacioni: në aftësinë për ta kthyer një objekt të zakonshëm të përditshmërisë në një mesazh artistik dhe shoqëror, duke i dhënë dukshmëri një realiteti që shpesh zgjedhim të mos e shohim.
O. Sherifi



