Në vitin 2008, në Zagreb u mbajt një simpozium ndërkombëtar për standardizimin
e gjuhës rome, ku u vendos që data 5 nëntor të njihej si dita kushtuar gjuhës
rome.
Shtatë vite më vonë, UNESCO e shpalli zyrtarisht këtë ditë si World Day of
Romani Language, një moment i rëndësishëm për historinë e kësaj gjuhe të
lashtë dhe të bukur.
Por rrënjët e gjuhës rome janë shumë më të thella: ato
shtrihen që nga shekulli V pas erës sonë, në Indinë e Veriut(Kanauj), ku romët e lashtë
flisnin një dialekt të familjes indo-ariane.
Me kalimin e shekujve dhe udhëtimin e gjatë drejt Perëndimit, gjuha rome mori
huazime nga shumë gjuhë të tjera: sanskritishtja, hindi, urdu, punxhabi,
raxhastani, por edhe persishtja dhe turqishtja.
Kështu, romani ćhib u bë një mozaik kulturor dhe gjuhësor, që ruan kujtesën e
një populli në lëvizje.
Gjuha rome është shumë më tepër se fjalë: ajo është
identitet, kujtesë dhe krenari.
Ajo përbën një nga tre shtyllat kryesore të identitetit rom, së bashku me
flamurin dhe himnin “Gelem Gelem”.
Për komunitetin rom në Shqipëri, ruajtja e gjuhës është mënyra më e bukur për
të treguar që kultura jonë është gjallë, pavarësisht sfidave të mëdha ekonomike
e sociale që ende na shoqërojnë.
Por le të kthehemi në përditshmëri: sa shpesh e
dëgjojmë gjuhën rome sot?
Në lagjet me shumicë rome, mund ta dëgjosh ende bisedën e ëmbël “romane”, por
në vitin 2025, janë gjithnjë e më pak të rinjtë dhe fëmijët që e flasin.
Kjo nuk lidhet me nivelin e arsimit, por me humbjen graduale të transmetimit
gojor, sepse kjo gjuhë ka jetuar 1,500 vjet pa libra, pa shkolla, vetëm përmes
zërit të nënave dhe baballarëve.
Në Shqipëri, gjuha rome mësohet vetëm në disa shkolla
fillore në Elbasan, ku Raxhi Rakipi, i diplomuar në Universitetin “Aleksandër
Xhuvani”, jep mësim me përkushtim.
Ndërkohë, RTSH2 prej 8 vitesh transmeton përditë në një dritare të vogël
informimi lajmet në gjuhën rome, të përgatitura dhe lexuara nga Olsi Sherifi.
Por, a është kjo e mjaftueshme për ta ruajtur gjuhën tonë dhe për t’ia
përcjellë brezave të rinj?
Nëse nuk e përdorim, ajo rrezikon të bëhet një gjuhë e humbur, një gjuhë që
jeton vetëm në kujtime.
Fatkeqësisht, edhe në këngët rome të sotme, shpesh
dëgjojmë vetëm disa fjalë të përsëritura si “gilavava” apo “bashavella”, ndërsa
teksti i plotë në romisht mungon.
Por gjuha jonë nuk është turp, ajo është trashëgimi e shenjtë.
Nuk është turp të flasësh romisht në publik,
nuk është turp të shkruash apo të këndosh në gjuhën rome,
nuk është turp të raportosh lajme, të postosh artikuj apo të krijosh përmbajtje
në gjuhën e nënës tënde.
Turp është vetëm ta fshehësh, ta heshtësh dhe ta lësh të shuhet.
Ne që e duam gjuhën rome duhet të japim kontribut,
secili sipas mundësisë së vet në familje, në shkollë, në media, në rrjete
sociale.
Vetëm kështu, komuniteti do ta ndiejë se gjuha jonë është e bukur, e ëmbël dhe
e gjallë, sepse ajo ka shpirt, ka frymë, ka histori.
Ne kemi nevojë për më shumë hapësira publike, programe
televizive, dhe përmbajtje mediatike në gjuhën rome, jo vetëm si kërkesë
kulturore, por si e drejtë themelore për ruajtjen e trashëgimisë sonë.
“Amari chib but phirdjas… sar amen but droma…”
(Gjuha jonë ka udhëtuar shumë… si ne në shumë rrugë…)
.png)